Ahmeti: “Mali Sharr është pasuria më e madhe kombëtare”


Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, Artan Grubi, ministri i Financave Fatmir Besimi, ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, pastaj ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, kryetarja e Tetovës Teuta Arifi si dhe funksionarë tjerë vizituan sot Malin Sharr me rastin e shpalljes së tij për Park Kombëtar.

Ahmeti në kuadër të vizitës theksoi se miratimi i vendimit për shpalljen e Malit Shar për park kombëtar është hap i rëndësishëm historik që do të kontribuojë në mbrojtjen e kësaj pasurie kombëtare. Gjithashtu, tha se me këtë vendim mundësohet krijimi i sistemit të menaxhimit të qëndrueshëm të zonës që është një thesar i biodiversitetit.

“Është një moment tepër i rëndësishëm për ne, me arritjen e shpalljes së Malit Sharr si Park Kombëtar që sipas të gjitha studimeve kap një hapësirë prej 630 km2, do të thoja që është pasuria më e madhe kombëtare sepse e ardhmja e turizmit, e ardhmja e njerëzve është tek pasuritë natyrore. Ne të gjithë e dimë që e tërë shkenca, teknologjia shkon në drejtim të pakësimit të karburanteve dhe të gjithë e dimë që e ardhmja është e ardhme e të së gjelbrës kështu që ne kemi fat dhe dhuratë prej Zotit që këtë pasuri kombëtare ta vëmë në shërbim të njerëzve, në shërbim të rritjes së cilësisë së jetës”, deklaroi Ahmeti.

Ndërsa, ministri i Mjedisit jetësor Naser Nuredini theksoi se me shpalljen e Malit Sharr si Park kombëtar në pjesën e Maqedonisë së Veriut, bëhet një nga zonat më të zhvilluara në vend sa i përket pjesës së turizmit si dhe kontribut të madh jep në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ndryshe, pas miratimit të Ligjit për mbrojtje të Malit Sharr është themeluar edhe Ndërmarrje publike për menaxhim me parkun kombëtar në Malin Sharr.

Baby Boo