Koalicioni qeverisës me LSDM-në funksionon në suaza të normales. Raportet mes kreut të LSDM-së, Zoran Zaev dhe atij të BDI-së, Ali Ahmeti dhe strukturave të tjera të partisë janë të qëndrueshme dhe të mira. Kështu deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti sot në Shkup, gjatë ceremonisë së zbulimit të bustit të presidentit amerikan, Vudrou Uilson para godinës së Komunës së Çairit, duke potencuar se deputeti Muhamed Zeqiri, nuk është përfaqësues legjitim i politikave të LSDM-së.
“Sigurisht mund të ketë dallime për çështje të ndryshme në parim. Por, në substancë gjërat shkojnë në drejtimin e duhur. Në kuadër të zhvillimeve rreth zgjedhjeve ne akoma nuk kemi bisedime me asnjë parti nga blloku maqedonas. Në të ardhmen do të shohim, do të ndërtojmë strategjinë tonë, se si do të organizohemi për zgjedhjet e 12 prillit. Për koalicionin me LSDM-në nuk është biseduar. Por, në parim kam thënë mendimin tim, i cili e përfaqëson mendimin e BDI-së, se nuk do të ishte e mirë as për BDI-në, e as për LSDM-në, të futemi në një koalicion parazgjedhor, pasi që jemi në rrethana specifike, e jo në rrethana të cilat i kemi kaluar më parë rreth zgjedhjeve lokale. Organizmi i zgjedhjeve të përgjithshme ka një filozofi dhe strategji tjetër”, tha Ahmeti.