Ahmeti e quan fatkeqësi cilësinë e ulët në arsim


Ministria e Arsimit për disa mandate është udhëhequr nga kuadro të BDI-së por kjo parti në vazhdimësi distancohet nga përgjegjësia për cilësinë e arsimit në vend. Kreu i partisë Ali Ahmeti në “Rruga drejt” madje deklaroi se është fatkeqësi që anketat e nxjerrin vendin në pozita të palakmueshme sa i takon cilësisë së arsimit. I pyetur për parregullësitë dhe shkeljet e publikuara së fundmi në institucionet e arsimit të lartë, Ahmeti ftoi ministrin dhe inspektoratin të bëjnë punën e tyre.

Sigurisht që kjo është punë e ministrit. Ministri të shohë, me inspektoratet dhe me mekanizmat që i ka që nëse ka bërë dikush shkelje ligjore, për ato të shkelje të marrë vendimin e duhur nga autoritetet e Ministrisë së Arsimit. Unë nuk jam për t’u shkelur ligjet, nuk jam për t’u shkelë rregullat dhe rregulloret e universiteteve. Unë asnjëherë nuk kam pasur asnjë pretendim për të bërë diktat mbi autoritete e arsimit. Ata kanë pasur dhe kanë autonominë e plotë që të punojnë komfor ligjeve dhe komfor kërkesave –  deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ditë më parë, ministri i Arsimit Arbër Ademi premtoi fillimisht rishikim të punës së të gjithë universiteteve, duke u nisur nga informacionet për parregullësi në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës kurse më vonë, edhe analizë mbi punën e Universitetit Nënë Tereza.

Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe askush nuk mund të jetë mbi interesat e qytetarëve për të pasur sistem arsimor cilësor. Ne do të ndërmarrim të gjitha masat, të gjitha aktivitetet të cilat janë në kompetencë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës por pasi të kemi informacionin e plotë për çështjen të cilën ju edhe po e ngritni. Sigurisht se do të jemi në komunikim edhe me institucionet e tjera përkatëse, kompetente të sistemit, po ashtu edhe me autoritetet në universitet po të jetë nevoja – pohoi Arbër Ademi, ministër i Arsimit.

Deri në këto momente, nga MASH nuk ka asnjë lëvizje. Javë më parë Alsat mësoi se Universitetit Ndërkombëtar të Strugës i ka skaduar vendimi për punë për studimet e doktoraturës dhe pas një përplasje dhe kontesti gjyqësor me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, vendimi nuk i është vazhduar. Dy institutet e UNS-së të cilët janë kusht për funksionimin e unversitetit janë jofunksionale kurse me sharje dhe ofendime janë përzënë inspektorët të cilët kanë vizituar këtë institucion për inspektim. Parregullësi të theksuara dolën në pah edhe për punën e Universitetit “Nënë Tereza”, përzgjedhja e rektorit pa konkurs publik, përzgjedhja e kuadrove pa titullin e duhur mësimor-shkencor, stërzgjatja e mandatit të ushtruesve të detyrës dekanë për më shumë se sa e lejon ligji, si dhe disa çështje të tjera.

Fatlume Dervishi

Baby Boo