Ahmeti: Duke rrethuar “Për” më 30 shtator e vulosim të ardhmen tonë


Më 30 shtator ka vetëm dy opsione për Maqedoni evropiane ose kundër. Vota “për” është për Maqedoni euroatlantike. Unë jam i bindur se shumica e qytetarëve, të gjithë liderët politik, Shoqëria qytetare, Bashkësia akademike, mediat janë për Evropë, për NATO.

Këtë e porositi sot kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në promovimin e fushatës “Dil PËR Maqedoni evropiane” të koalicionit të përbërë nga partitë, Shoqata qytetare, Oda ekonomike…, të cilat e përkrahin hyrjen në BE dhe NATO dhe referendumin e suksesshëm më 30 shtator. Ahmeti ka drejtuar apel edhe deri te opozita që të bashkëngjitet në koalicionin e Maqedonisë evropiane.

“Qytetarët dhe forcat progresive në vend tashmë janë të bindur që integrimi në NATO dhe në BE sjell paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe siguri, barazi dhe marrëdhënie të shëndosha ndëretnike, mirëqenie shoqërore dhe zhvillim ekonomik. Me këtë rast, unë ftoj edhe opozitën që t’i bashkëngjitet suksesit të përbashkët sepse nga rreshtimi i vendit tonë në Bruksel përfiton shteti dhe qytetarët, përfiton edhe opozita. Gjithashtu ftoj edhe të gjithë ata që akoma hamenden dhe i kalkulojnë pozitat e tyre për nevoja të politikave ditore që ta tejkalojnë vetën dhe të rreshtohen me forcat progresive në vend”, ka thënë kreu i BDI-së.

Sipas tij, referendumi i 30 shtatorit është referendum për ta integruar Maqedoninë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Është referendum, siç tha, “për një shoqëri më demokratike, me sundim të plotë të rendit dhe ligjit si dhe me luftë të pakompromistë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

“Në vazhdimësi qytetarët tanë kanë kërkuar nga ne integrim në NATO dhe në BE si një nga prioritetet më të larta për ta. Në vazhdimësi ne jemi angazhuar për ta realizuar këtë kërkesë të rreth 90% të qytetarëve. Ja, pikërisht sot, jemi para rrumbullakimit të përpjekjeve tona dy dekadash për integrim të plotë të vendit aty ku e kemi vendin si plotësim dhe realizim i synimeve të gjeneratave të tëra ndër vite”, ka theksuar Ahmeti.

Ai tha se koha për lidership për guxim dhe vizion politik është tani.

“Nuk ka vend për kalkulime as për hezitime, të gjithë bashkë, pozitë e opozitë, të rinj e të moshuar, gra e burra, të gjithë pa përjashtim duhet t’i bashkëngjitemi karvanit fitimtar për një shtet të integruar plotësisht dhe me të drejta të barabarta në NATO dhe në Bashkimin Evropian. E ardhmja e përbashkët dhe e ndritur është në duart tona. Me rrethim të opsionit “për” më 30 shtator vulosim të ardhmen tonë, të fëmijëve tanë dhe të gjeneratave pas nesh”, porositi numri një i BDI-së, Ali Ahmeti.