Ahmeti: Dalzotës të këtij vendi nuk janë vetëm Zorani e Hristijani, por edhe Naseri


Me t’u ngjitur në skenën e tubimit të mbajtur sonte në Saraj, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, rrëfeu një histori për dy shokë që po ziheshin për trimëri, e një plak që po i dëgjonte, tregoi Ahmeti, u kthehet e u thotë: “Rrini urtë se zëri juaj nuk dëgjohet më shumë se sa macja kur rrëzon djathërat në kuzhinë”.

Nuk tha se kujt po ia dedikon këtë rrëfim me mesazh, por pas së njëjtës, Ahmeti fjalimin e lidhi me idenë e BDI-së për Kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, për të cilën tha se ka dridhur gjithë rajonin.

“Ne kur gjuajmë, gjuajmë me top, dhe e merr vesh gjithë bota. Ne nuk fshihemi skutave. A e shihni që edhe rajoni po dridhet për një ide. Ka dy javë që kemi pushtuar shtypin e vendit dhe të rajonit. Kemi prekur të gjitha kancelaritë e Evropës e të botës sepse e dinë se ne kur flasim edhe e bëjmë!” u shpreh Ahmeti, përcjell TV21.

“Idenë e kemi hedhur në 2009 ndërsa topi ka krisur në 2020-tën” pohoi kreu i BDI-së, duke shtuar se me “kryeministër shqiptar” BDI dëshiron të jep mesazh për bashkëqytetarët se vendi ecë përpara duke qenë bashkë, ndërsa me nominimin e Naser Zyberit si kandidat jopartiak ka dashur që të jepet porosia se shqiptarët janë një.

Për Ahmetin, idetë janë të pavdekshme, edhe pse të njëjtat mund të luftohet, mund që për një kohë të mos triumfojnë, por shtoi se idetë nuk ka forcë që i mposht.

“15 korriku nuk është larg. Edhe 16 korriku është shumë afër 15 korrikut. Më 16 korrik kush dëshiron të bisedojë, bujrum… Ne jemi këtu!” deklaroi ai, përcjell tv21.tv.

Në fjalën e tij kreu i integristëve tha se dalzotës të këtij vendi nuk janë vetëm Zorani e Hristijani, por tha se është edhe Naseri, ndërsa sugjeroi që më mirë të mos hapet tema “e tapive” sepse, siç shtoi, nuk i dihet se kush del dalzotësi më i vjetër e me tapi të këtij vendi.

“Më dëshpëruan ca që u ngutën dhe vollën aq shpejtë se s’mund të jetë një kryeministër shqiptar në këtë vend. Vërtetë u zhgënjeva, vërtetë më dëshpëruan se akoma nuk kanë ndryshuar, akoma kanë paragjykime, se vetëm ata janë pronarë të këtij vendi” tha Ahmeti.

Kreu integrist po ashtu kujtoi edhe thirrjet “Shoqëri për të gjithë” të LSDM-së, ndërsa shtoi se kur del një kandidat shqiptar, ata thonë “jo s’mundesh ti, sepse pronari jam unë”. Këtë gjë le ta harrojnë, tha Ahmeti, duke shtuar se “pronarë jemi bashkë këtu”.

Më tej ai foli edhe për qëndrimet e partive shqiptare ndaj idesë për Kryeministër shqiptar.

“Këta tanët, në vend që t’i gëzohen idesë, këta dalin dhe merren me të kaluarën. Ne nuk kemi kohë të merremi me të kaluarën. Unë e di që kemi edhe shumë punë për të bërë. Unë e di që ka pasur edhe ndonjë lëshim, edhe ndonjë gabim, ka pasur edhe ndonjë vonesë, por të udhëheqësh këto procese, nga zero dhe ta sjellësh vendin në NATO nuk ka qenë punë e lehtë. Ta drejtosh vendin nga zero dhe ta bësh me tre universitete shqiptare, nuk është punë e lehtë! Ta gjesh me një administratë me 1.5% dhe ta bësh me 20% nuk është punë e lehtë!” u shpreh kreu i BDI-së.

Madje tha se po ta pyesin edhe atë a është i kënaqur, tha se do të thoshte se “nuk është i kënaqur” sepse tha se e di që kërkesat janë të shumta, por shtoi se kurrë nuk u kanë ecur dhe punuar shqiptarëve pas shpine.

“Unë kam kërkuar le të bëhen bashkë shqiptarët. Le të bëhet opozita bashkë. Do të bëhemi më të rëndësishëm! Unë nuk kam thënë qe ne duhet ta mbajmë dhe ne të jemi të përhershëm! Le të bëhen bashkë sepse një nga një, janë kafshatë e lehtë për ne” tha Ahmeti, duke u kërkuar partive shqiptare që të mos merren me BDI-në, por me atë se çfarë u ofrojnë shqiptarëve.

Ahmeti përmendi edhe çështjen e vetingut për të gjithë zyrtarët dhe politikanët, gjë për të cilën tha se partitë i shmangen, ndërsa tregoi se ai zyrtarisht ka kërkuar deri tek Prokuroria Speciale, ajo e shtetit, por edhe tek ndërkombëtarët, që të hapen hetime në BDI për ta kontrolluar punën e saj që nga viti 2002.

Baby Boo