Agim Ramadani heroi që jetësoi lirinë (Foto)


Heroi Agim Ramadani, i përjetësuar në histori për luftën e tij kundër forcave serbe, si një ndër organizatorët dhe udhëheqësit ushtarak të Betejës së Koshares-thyrjes së kufirit Kosovë -Shqipëri, është përkujtuar në përvjetorin e 16 të rënies.

Në akademinë përkujtimore të organizuar nën patronatin e kryeministrit të vendit Isa Mustafa, Ramadani është përkujtuar nga bashkëluftëtarët e tij si një njeri me vizion diplomatik, ushtarak dhe kombëtar.

Xhafer Gashi në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani” tha se Ramadani dha jetën për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit duke e dëshmuar idealin dhe punën e tij në shërbim të shtetndërtimit të Kosovës.

Gashi ka sjellë para pjesëmarrësve të mbledhur në akademinë përkujtimore që u mbajt para pak çastesh edhe fjalët e thënë nga Ramadani për Kosovën e pasluftës.

“Edhe pas luftës do të ketë ‘luftë’, por vetëm do të ndërrohen mënyrat e saj”, ka rikujtuar ai para të pranishmëve në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, duke bërë thirrje që heronjtë të kenë vend meritor dhe jo të kujtohen vetëm nëpër përvjetorë.

Ndërkaq, e bija e heroit Agim Ramadani, Lorina Ramadani ka bërë thirrje që gjeneratat e reja të gëzojnë lirinë, duke bashkuar idetë për të dal fitues në zhvillimin dhe ndërtimin e vendit, madje siç është shprehur ajo “në luftën tonë për mbrojtjen e kësaj lirie”.

Në emër të qeverisë së Kosovës, për Ramadanin, strategjinë e tij të luftës, karakterin e lartë njerëzor si dhe kombëtar ka folur dhe ministri i Forcave të Armatosura të Kosovës, Haki Demolli.

“Të gjitha virtytet që kishte Agim Ramadani tregojnë se ai kishte ide dhe ishte trim”, tha Demolli.

Demolli tha se Agim Ramadani, përveç që ishte strateg, morri pjesë edhe në shumë beteja.

“Ai (Ramadani) përgatiti ushtarët e lirisë për luftën në Koshare dhe rëndësinë që kishte thyerja e këtij kufiri”, ka thënë mes tjerash Demolli.

Demolli në këtë akademi tha se Institucionet e Kosovës po angazhohen për ngritjen e mirëqenies të të gjithë pjesëtarëve të UÇK-së.

Të pranishëm në këtë akademi ishin kryeministri Isa Mustafa, ministra të qeverisë, deputetë, klerikë fetar, bashkëluftëtarë dhe familjar të të rënëve në këtë beteje.

Manifestimi tradicional “Ditët e Shqipes 2015” do të vazhdojë dhe me aktivitete tjera për të nderuar të rënët e kësaj beteje.

Më 9 prill të vitit 1999 u shemb kufiri Kosovë-Shqipëri, në Koshare

Baby Boo