Afrim Gashi për rastin e dhunimit të 11 vjeçares: “Ky moment më ka vulosur arsyen se pse jemi futur në politikë, shpëtimi i kombit varet nga shpëtimi i familjes tonë”


Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi, ka komentuar rastin e fundit të përdhunimit ta vajzës 11 vjeçare në Kosovë, duke thënë se është prekur për gjendjen në të cilën ka rrëshqitur shoqëria jonë. Ai thotë se ky moment edhe një herë ka vulosur arsyen e madhe që të merret me politikë.

Gashi shkruan se partia që drejton ai, nuk kanë hyrë në qeveri për shkak të pushtetit, por mjet i arritjes së qëllimeve më të larta. Sipas tij, ata janë në politik për mbrojtjen e indit tonë politik dhe etnik nga asimilimi, nga degjenerimi moral dhe nga katandia materiale por edhe shpirtërore.

Ja dhe postimi i tij i plotë:
“Ndonëse Kosova është një shtet tjetër, ne jemi gati një shoqëri, kjo jo vetëm për shkak të përkatësisë sonë etnike, por edhe për arsye se teknologjia i ka rrafshuar kufijtë gjeografikë e politikë.

Unë jam thellë i bindur se ky incident nuk është i izoluar, nuk është as rastësi, por është rezultat i degjenerimit të përgjithshëm shoqëror e moral, që ka ardhur – pos tjerash – nga rrënimi i sistemit tonë të vlerave e virtyteve tona si komb, më saktë nga rrënimi i familjes sonë tradicionale.

Megjithatë, në këtë adresim nuk dua të merrem me atë se çfarë dënimi meritojnë ata që e kanë shkaktuar atë dhunim, as me vuajtjet që do i ketë ajo vajzë në jetë, që sigurisht meritojnë vëmendjen dhe kujdesin tonë, por ajo që më ka detyruar t’ju shkruaj është se ky moment edhe një herë ma ka vulosur arsyen e madhe që të merrem me politikë.

Jam shumë i vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballesh kur je në politikë. Herë akuzohesh pse nuk hyn në qeveri, pastaj akuzohesh pse del prej qeverie, herën e tretë akuzohesh se ke hyrë për ta shpëtuar dikë, në të katërtën ndonjë broçkull tjetër dhe unë për të gjitha ato interpretime kam mirëkuptim dhe prandaj i kam pranuar dhe vazhdoj t’i pranoj me qetësi e dashuri. Por, dua t’jua kujtoj se Afrim Gashi dhe AlternAtivA nuk është në qeveri për shkak të pushtetit, madje – nëse doni – as nuk është as në skenën politike për shkak të pushtetit. Për ne, ashtu si organizata politike, edhe pushteti është mjet i arritjes së disa qëllimeve më të larta. Ne kemi hyrë në politikë, sot edhe në qeveri, vetëm për një arsye – ta mbrojnë indin tonë nga asimilimi politik e etnik, nga degjenerimi moral dhe nga katandia materiale, por edhe shpirtërore. Prandaj, me gjithë çmimin që mund ta paguajmë për sinqeritetin tonë kundrejt opinionit, ne jemi partia e vetme, në mos organizata e vetme, përfshirë edhe organizatat që e kanë detyrim të merren me këtë temë, që flet publikisht dhe zyrtarisht se shpëtimi ynë si komb varet nga shpëtimi i familjes sonë. Vetëm duke e shpëtuar familjen ne e shpëtojmë etikën familjare, sepse vetëm në një familje të shëndoshë mëkohen vlerat e turpit, të respektit, të dashurisë për tjetrin, të kujdesit ndaj tjetrit, të ndihmës, solidaritetit, bamirësisë e mirësjelljes. Familja është çerdhja ku luhet drama etike e njeriut, që nga ninullat e nënave tona, që na këndojnë të bëhemi si Gjergj Elez Alia e si Ajkuna, e deri te ritet e tjera zakonore, që na trajtësojnë në njerëz të ndershëm, të ndërgjegjshëm, të moralshëm, të dashur e të dobishëm për shoqërinë. Nuk dua dhe nuk mund ta mohoj rolin e shkollës dhe rolin e arsimit, në përgjithësi, por tranzicioni i gjatë në mjedisin tonë e ka lëkundur bukur shumë shkollën dhe unë nuk dua t’ia atribuoj fajin askujt, ngase nëse e rrënojmë familjen, nuk mund të na shpëtojë as shkolla.

Dhe, kur flas për rëndësinë e familjes, unë me të e nënkuptoj atë që e thashë në kongresin e Alternativës: “Alternativa nuk do të ishte kjo që është nëse si parti e qendrës së djathtë, që beson në vlera konservatore, nuk do të angazhohej zëshëm edhe për tema tipike konservatore, siç është edhe familja. Ne besojmë se familja është një bashkësi mes një burri dhe një gruaje, që realizohet publikisht, dhe si e tillë regjistrohet. Kjo nënkupton se secila trajtë tjetër që nuk ndërtohet mbi këto parime mund të jetë një bashkësi tjetër sociale, por nuk është familje.”

Të dashur anëtarë e aktivistë të Alternativës, përmes kësaj letre dhe këtij shpjegimi dua edhe një herë t’ju ftoj në misionin tonë historik për mbrojtjen e familjes. E kuptoj se keni nevojë për punësime, avancime, emërime e shërbime të tjera, që i ka secili qytetar në vendin tonë, por mos harroni asnjëherë se ne nuk kemi ardhur në politikë për këtë synim. A e shihni se asnjë parti tjetër nuk flet për këtë temë? A e shihni se edhe bashkësitë fetare sikur e bëjnë të shurdhëtin? A e shihni se OJQ-të gati se fare nuk merren me këtë temë? A e shihni se, duke heshtur, ne i japim mundësi të flasë dhuna, amoraliteti dhe hajnia?

Ju lutem shumë, bile edhe juve që na kritikoni e na shani, së paku në këtë agjendë na mbështetni. Jemi bërë istikami i fundit për ta mbrojtur familjen. Nëse na bie edhe kjo, nesër një vajzë e dhunuar mund të jetë bija jote, motra jote ose nëna e dikujt tjetër, ndërsa dhunuesi mund të jetë shoku ynë, fqinji ynë ose edhe biri ynë.

Sigurisht se, si të gjithë njerëzit e tjerë, edhe ne i kemi kusuret tona. Por, të bashkohemi së paku në këtë kauzë dhe të qëndrojmë në të. Kjo është arsyeja që unë jam në politikë dhe do të doja shumë që kjo të jetë arsyeja që edhe ju jeni në politikë. Krejt të tjerat janë relative dhe krejt ato maten me suksesin ose dështimin tonë në këtë pikë. Edhe nëse hapim vende pune për mijëra të rinj e të reja, por ndërkohë e kemi shkatërruar familjen, kjo përsëri është humbje.

Prandaj, ejani t’i kthehemi familjes tradicionale dhe ta ushqejmë e ta mbrojmë, ta mëkojmë e ta kultivojmë, ta ndërtojmë e ta forcojmë, sepse vetëm nëse ia dalim ta shpëtojmë familjen, e kemi shpëtuar kombin dhe vetëm ashtu e shpëtojmë veten tonë.

Baby Boo