Afganistan, sulm vetëvrasës ndaj dijetarëve që ndaluan sulmet vetëvrasëse

Të paktën 14 persona humbën jetën dhe 20 të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi vetëvrasës ndaj një këshilli dijetarësh të cilët denoncuan luftën dhe potencuan ndalueshmërinë e sulmeve vetëvrasëse, raporton Anadolu Agency (AA).

Baby Boo

Sipas të dhënave që AA siguroi nga zëdhënësi i Policisë së Kabulit, Hashmet Estanikzey, sulmi ka ndodhur ndaj një tubimi të dijetarëve nga i gjithë vendi i cili kishte për qëllim të theksohet se “lufta e vazhdueshme në vend nuk është legjitime”.

Më parë, ai konfirmoi se shtatë vetë u vranë si rezultat i sulmit, por numri u përditësua më vonë në 14.

Këshilli i Dijetarëve në Afganistan përmes një fetvaje (mendimi ligjor islam), potencoi se sulmet vetëvrasëse janë të ndaluara.

Në fetva thuhet forcat afgane dhe talebanët duhet t’i japin fund luftës dhe se mes dy palëve duhet filluar negociata për paqe.

Sulmi ndodhi menjëherë pasi Ghofranullah Murad, anëtar i Këshillit të Dijetarëve të Afganistanit, duke lexuar një deklaratë me shkrim, tha se njerëzit e pafajshëm janë viktimë e kësaj lufte.