Aeroplani special vjen nga Turqia për një pacient nga Tetova me Kovid 19

Dje me një aksion humanitar në Turqi u transferua një pacient 54 vjeç me Covid 19 nga Tetova, përkatësisht nga Çarshia e Epërme.

Presidenca e Turqisë dhe Ministria e Shëndetësisë të këtij shteti edhe një herë dëshmuan se dora e humanitetit të tyre mund të mbërrijë kudo në botë në këtë situatë të rëndë të pandemisë. Kjo është bërë e ditur nga kryetari i Shoqatës Humanitare “El Hilal”, Behixhudin Shehapi.

Sipas tij, për këtë mision humanitar kontribuan mjaft bashkatdhetarë tanë, gjegjësisht familjarët e pacientit në Turqi. Pjesën e angazhimit tonë e kryem me sukses duke i falënderuar Aeroportin e Shkupit, drejtorin e TAV-it, Agjencinë e fluturimeve civile dhe definitivisht spitalit të Tetovës.

“Ky ndërmjetësim i imi nuk do të ishte efikas sikur mos e kisha mbështetjen e parezervë të personelit të spitalit në krye me drejtorin Florim Besimi, i cili katër ditë si në spital ashtu edhe në shtëpinë e pacientit gjatë bartjes në aeroport dha një kontribut duke treguar kujdes të veçantë për gjendjen e pacientit.

Mirënjohje të veçantë meriton edhe infermierja Berna Ismaili, e cila edhe pas orarit të punës u angazhua për realizimn e këtij aksioni humanitar. Falënderime të gjithëve në emër të familjarëve të pacientit, gjendja e të cilit është mjaft stabile”, ka shkruar Shehapi.