Ademi: Programet studimore dhe provimet do të mund të zhvillohen edhe me pjesëmarrjen fizike në fakultet!


Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi thotë se programet studimore dhe provimet do të mund të zhvillohen edhe me pjesëmarrjen fizike në fakultet!
Për të normalizuar procesin e studimeve, respektivisht zhvillimin e mësimdhënies në mënyrë të zakonshme që është i pranueshëm për numrin më të madh të studentëve, si dhe për të ngritur objektivitetin gjatë kontrollit dhe vlerësimit të njohurive të fituara, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot e plotësoi Dekretin me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për arsimin e lartë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.
Ndryshimet e Dekretit parashikojnë që secili institucion i arsimit të lartë ku ekziston mundësi për aplikim të plotë të protokollit tashmë të përgatitur për organizimin e provimeve në institucionet e arsimit të lartë, krahas organizimit të mësimit në distancë, duke aplikuar mjete të komunikimit elektronik, do të mund të organizohet edhe realizimi i programeve studimore dhe vlerësimi i njohurive me pjesëmarrjen fizike të studentëve dhe profesorëve dhe, njëherësh, përmes prezencës fizike të të punësuarve mund të realizohet puna e Shërbimit profesional.

Kjo nënkupton se institucioni i arsimit të lartë, në ndërkohë, mund të organizojë edhe ligjërata, ushtrime, të zbatojë forma të vazhdueshme të kontrollimit të njohurive, mësimin individual dhe format e tjera që janë adekuate për specifikën e sferës mësimore-shkencore dhe artistike, si dhe mund të organizojë mësim konsultativ-instruktiv, punë individuale studimore (hulumtimi i literaturës, punime seminari, punë projektuese), provime dhe kolokfiume, si dhe mbrojtje të punimeve të diplomës, magjistraturës dhe doktoraturës në ambientet e institucionit. Kuptohet, e gjithë kjo duhet të jetë në përputhje me protokollin dhe masat e shqiptuara deri më tani për mbrojtje nga virusi Korona COVID 19.

Dalëngadalë, por sigurt, sistemi edukativo-arsimor në vend vjen duke iu kthyer normalitetit dhe funksionimi i të njëjtit përshtatet me realitetin e ri. Punojmë në interes të të gjitha palëve të këtij segmenti shoqëror – gjithsecili të mund të ushtrojë të drejtat e tij pa pengesa dhe t’i plotësojë detyrimet e veta.

https://www.facebook.com/arberademi.1/posts/2680198602223813

Baby Boo