Ademi: Kultura e njëjtë për të gjithë, pa selektime


Ministri i kulturës, Asaf Ademi, shpalosi vizionin e tij për punën e kësaj ministrie në të ardhmen. Përpjekja e ministrisë është ndërtimi i shoqërisë interkulturore dhe afirmimi i vlerave kulturore autoktone, me qasjen “kulturë e njëjtë për të gjithë”, thekson Ademi, njofton “infOSport.mk”.

“Synimi dhe vizioni ynë është që Ministria e Kulturës t’u takojë qytetarëve, t’i përmbush pritjet dhe nevojat e tyre dhe t’u shërbejë institucioneve kulturore dhe punonjësve të kësaj fushe në vend. Në këtë drejtim përpjekja jonë do të jetë ndërtimi i shoqërisë inter-kulturore në afirmimin e vlerave kulturore autoktone, në përkrahjen e aktiviteteve aktuale dhe realizimin e aktiviteteve tjera që do të mbeten edhe pas largimit tonë nga kjo ministri, e që do të jenë dëshmi për qasjen tonë kulturë e njëjtë për të gjithë”,- deklaroi ministri i kulturës, Asaf Ademi.

Ademi paralajmëroi ndryshime ligjore për të drejtën e autorit dhe të drejtat e ndërlidhura, si dhe për marrëveshjen kolektive për kulturën.

 

Po punohet edhe për përmbushjen e rekomandimeve të UNESKO-s për qytetin e Ohrit. I pyetur nëse ministria ka kërkuar mendim nga UNESKO për restaurimin e xhamisë së Ali Pashës, Ademi tha se një leje e tillë nuk është kërkuar, por shpreson në zgjidhje të pranueshme për të gjithë.

“E drejta e besimit fetar është e garantuar me Kushtetutë dhe Ministria e Kulturës nuk mund ta shkatërrojë këtë vlerë. Kam pasur takime edhe me drejtoreshën e Drejtorisë për mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe me BFI-në për të gjetur mënyrën t’i tejkalojmë këto momente që mund të sjellin deri në prishjen e bashkëjetesës ndëretnike dhe ndërfetare”,- u shpreh ministri i Kulturës, Asaf Ademi.

Ndër çështjet urgjente për të cilat ministria duhet të angazhohet është edhe gjetja e një zgjidhje mbi 700 mijë kopjet e botuara të librave nga 5 projektet e mëdha botuese të qeverisë së kaluar, të cilat vazhdojnë të mbeten grumbull në podrumet e ministrisë, pasi askush nuk është përkujdesur për distribuimin e tyre edhe pse paratë për botim janë dhënë.