Nëpërmes një video porosie, Ministri i Diasporës, Edmond Ademi apeloi të gjithë qytetarët e RMV-së të cilët janë në diasporë t’i respektojnë masat e vendosura nga Qeveria e Maqedonisë.
Ademi mes tjerash kërkoi që shtetasit e Maqedonisë të cilët janë në diasporë, me qëndrim të përhershëm ose të përkohshëm, në vendet me rrezik te lartë dhe të mesëm, t’i anulojnë udhëtimet drejt Republikës së Maqedonisë së Veriut deri më 24 mars, 2020.
“Qeveria, Ministria për Shëndetësi, si dhe të gjitha institucionet tjera kompetente me vëmendje e përcjellin situatën, në baza ditore dhe në bazë të zhvillimit të gjendjes, në mënyrë shtesë do Ju njoftojmë për veprimet e mëtutjeshme. Të gjithë jemi përgjegjës për shëndetin publik dhe shëndetin e familjeve tona!”, tha Ademi.