Abuzimet, historitë fshihen


Dënimi me 4 vite e 8 muaj burg për pedofilin nga Pogradeci, që përdhunoi të miturën 15 vjeçare duke e lënë edhe shtatzënë ka nxitur reagime të ndryshme.

Pas prindërve dhe shoqërisë civile, të shqetësuar janë veçanërisht psikologët, të cilët thonë se mesazhi që po jep gjykata e Korçës është shumë i rëndë.

“Kemi një person, i cili ka abuzuar me një vajzë të mitur, e cila në kushtet që është sot, ka lindur edhe një fëmijë nga abuzuesi i saj. Ndërkohë, abuzuesi dënohet vetëm me 4 vjet e gjysmë heqje lirie. Kjo është një shtysë që u jepet abuzuesve të tjerë që marrin kënaqësi nga një marrëdhënie seksuale me të miturit. Bëje se nuk do të dënoheni shumë. Ky nuk është mesazhi i duhur”, shprehet psikologia Brunilda Laboviti.

Sipas psikologes, viktima e dhunës seksuale, nxënësja e shkollës 9-vjeçare në fshatin Velçan ka nevojë për ndihmë urgjente nga institucionet përgjegjëse.

“Shërbimi social duhet të asistojë rastet kur ndonjëherë në mos suportin e familjarëve mund të kemi9 dhe institucionet përkatëse, të cilat duhet të merren konkretisht me viktimat e dhunës seksuale”, thotë psikologia.

Por, rasti i 15-vjeçares është bërja publike e një ngjarjeje më shumë, pasi sipas psikologes abuzime dhe ngacmime seksuale me të mitur gjen në çdo shkollë 9-vjeçare dhe gjimnaz, histori që fshihen brenda atyre mureve.

“Dihen mësuesit që kanë prirje pedofilie sepse mund të kenë pasur raste të mëparshme që nuk janë denoncuar dhe fëmijët mësohet nga prindërit që të mosqëndrojnë vetëm”, thotë Brunilda Laboviti.

Ekspertët thonë se ajo që nuk funksionon në vendin tonë, është sistemi në tërësi dhe strukturat në veçanti, ku vetë shteti shkel ligjin duke cenuar të drejtat e të miturve edhe në zyrat e tij.

“Flasim për vështirësi që hasim me të miturit si në polici, prokurori, gjykata, por kemi edhe raste të minoreneve që shoqërohen në komisariate në orë të vona dhe nuk shoqërohen nga persona kompetentë, të licencuar për shërbimin psikologjik. Në rastet me të miturit është detyrim ligjor prezenca e psikologut”, thotë Laboviti.

Top Channel

Baby Boo