Abbas: Vetëm SHBA-ja mund ta ndalojë sulmin e Izraelit në Rafah


Presidenti palestinez Mahmoud Abbas ka theksuar të dielën se vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta ndalojnë Izraelin që ta sulmojë qytetin kufitar Rafah në Gaza. Ai tha se sulmi, të cilin ai e pret brenda disa ditësh, mund të detyrojë një pjesë të madhe të popullsisë palestineze të largohet nga enklava.

“Ne i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që t’i kërkojë Izraelit që të mos vazhdojë sulmin në Rafah. Amerika është i vetmi vend që është në gjendje të parandalojë Izraelin nga kryerja e këtij krimi”, ka thënë Abbas në një takim special të Forumit Ekonomik Botëror në kryeqytetin saudit, Riad.
Izraeli ka kërcënuar me javë të tëra se do të nisë një sulm të gjithanshëm në qytet, duke thënë se qëllimi i tij është të shkatërrojë batalionet e mbetura të Hamasit atje, raporton agjencia “Reuters”.

Vendet perëndimore, duke përfshirë aleaten më të ngushtë të Izraelit, SHBA-në, i kanë bërë thirrje Izraelit që të frenohet nga sulmi në Rafah, që gjendet në kufi me Egjiptin dhe ku strehohen mbi 1.3 milionë palestinezë të zhvendosur.

“Ajo që do të ndodhë në ditët e ardhshme është që Izraeli do ta sulmojë Rafahun, vendin ku krejt palestinezët nga Gaza janë mbledhur atje”, ka thënë Abbas, duke shtuar se vetëm një “goditje e vogël” në Rafah do ta detyronte popullsinë palestineze të largohej nga qyteti.

Atëherë do të ndodhte katastrofa më e madhe në historinë e popullit palestinez.

Abbas përsëriti se ai kundërshton zhvendosjen e palestinezëve në Jordani dhe Egjipt dhe tha se është i shqetësuar se sapo Izraeli të përfundojë operacionet e tij në Gaza, atëherë do të përpiqet të detyrojë popullsinë palestineze të largohet nga Bregu Perëndimor dhe të shkojë në Jordani.

Izraeli nisi ofensivën e tij në Gaza pasi Hamasi udhëhoqi një sulm në Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin Izraeli tha se 1200 njerëz u vranë dhe 253 u morën peng.

Më shumë se 34 mijë palestinezë janë vrarë që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës, dhe shumica e popullsisë është zhvendosur.

Baby Boo