Abazoviç propozon dy ministra shqiptarë në qeverinë e re


Mandatari për kryeministër Dritan Abazoviç ka propozuar zyrtarisht strukturën dhe përbërjen e qeverisë se re të Malit të Zi, për të cilën deputetët do të vendosin këtë të enjte në seancën e Kuvendit në Cetinje. Qeveria do të ketë siç ishte paralajmëruar më parë 18 ministri, katër nënkryetarë dhe dy ministra pa portofol.

Ajo që bie në sy në listën e Abazoviç është emërimi i një zëvendëskryeministre për Bashkëpunim Rajonal dhe Ministre e Çështjeve Evropiane, Jovana Maroviç, e cila do të zhvillojë mesa duket një qasje të re ndaj iniciativës Ballkani i Hapur.

Ranko Krivokapiç do të jetë Ministri i ri i Punëve të Jashtme. Shqiptarët do të përfaqësohen me Marash Dukaj në postin e ri si Ministër i Administratës Publike, duke përfaqësuar në qeverinë e Abazoviç Listën Shqiptare koalicionin që përfshin partitë Forca-ASH-LDSH-Perspektiva-Unioni i Tuzit.

Fatmir Gjeka është përfaqësuesi tjetër i shqiptarëve në këtë qeveri, i emëruar nga Abazoviç si ministër i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave etnike aktualisht deputet i koalicionit “Bashkë nji za” në Kuvendin e Malit të Zi dhe kryetar i Partisë Demokratike.

Një vit më parë, ministri i ri Fatmir Gjeka refuzoi një bashkëpunim me koalicionin që deri tani qeveriste Malin e Zi, që kryesohej nga kryeministri në largim Zdravko Kripokaviç, sepse sipas tij, qeveria e shkarkuar ëndërronte kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë dhe krijimin e Botës Serbe.

Baby Boo