AAK reagon pasi Rada Trajkoviq e akuzoi për “kurdisje të votave”


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pasi Rada Trajkoviq ka thënë se sipas informacioneve që ka marrë në terren, partia e Ramush Haradinajt dhe Lista Srpska kanë bashkëpunuar për të zgjedhur deputetë që më pas do t’iu bëhet presion për ta zgjedhur presidentin. Por AAK në një postim në Facebook këtë deklaratë të Trajkoviq e ka quajtur gënjeshtër të kulluar, por edhe cinike e qesharake.

AAK thotë se nuk do të mbajnë qëndrim bllokues në procesin e konstituimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
Postimi i plotë i AAK në Facebook:

Aleanca nuk do të mbajë qëndrim bllokues në procesin e konstituimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Deklaratat e znj. Trajkoviq se gjoja AAK paska ndikuar në zgjedhjen e deputetëve minoritarë me qëllim të “kurdisjes” së zgjedhjes së Presidentit, janë gënjeshtër e kulluar, por edhe cinike e qesharake.

Nuk është hera e parë që zonja në fjalë dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes me deklarata pompoze, por kjo është shumë e tepërt. Problemet që komuniteti i saj i ka brenda llojit, nuk duhet t’i adresojë dhe të hedh fajësinë tek të tjerët, e më së paku te një organizatë e dëshmuar për transparencë e konsistencë në tërë historinë e saj politike.

Që nga nominimi i kryetarit Ramush Haradinaj si kandidat për President të Republikës, secili veprim i AAK-së në realizimin e këtij qëllimi, që ne e konsiderojmë të nevojshëm për Kosovën, ekuilibrin e pushtetit dhe ruajtjen e demokracisë, ka qenë plotësisht transparent dhe i njohur për qytetarët!

Baby Boo