A u paguan Dafina Zeqiri dhe Shyhrete Behluli në fushatën për vaksinim? Flet Ministria e Shëndetësisë


Ministria e Shëndetësisë ka disa ditë që ka nisur fushatën për vaksinim, ku ka angazhuar figura publike, të cilët po bëjnë thirrje qytetarëve të vaksinohen. Deri tani, nga figurat publike të fushës së artit, janë këngëtaret Shyhrete Behluli dhe Dafina Zeqiri të cilat përmes një video mesazhi u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen. Në një përgjigje për media, Ministria e Shëndetësisë ka treguar se asnjëra nga artistet nuk është paguar për të qenë pjesë e fushatës.

“Çdo figurë publike, qoftë sportist, këngëtar apo nga tjera profesione që është i angazhuar në këtë fushatë, këtë e bën falas, për çka MSh është mirënjohëse për gatishmërinë e tyre”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Tutje, MSh ka shtuar se është numër i madh i figurave publike që kanë shprehur interesimin për të marrë pjesë në këtë fushatë.

“Numri i atyre që kanë shprehur interesim vullnetarisht për të qenë pjesë e fushatës pas ftesës së MSh-se është i madh. Ndërsa realizimi i video mesazheve është duke u bërë nga kompani të angazhuara nga donatorët si UNICEF, USAID, SDC, etj”, tha MSh.
Theksojmë se një pjesë e madhe e artistëve gjithë kohës po bëjnë thirrje për vaksinim edhe nëpër llogaritë e tyre në rrjete sociale.

Baby Boo