A u dorëzuan Mickoski dhe VMRO-ja nga “zgjedhjet e shpejta të parakohshme”?


Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot nga Kavadari, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth temave aktuale, u bëri thirrje qytetarëve – edhe atyre që janë të përcaktuar politikisht edhe atyre që nuk janë, të bashkohen rreth VMRO-DPMNE-së dhe në zgjedhjet e ardhshme të mposhtin qeverinë aktuale.

Ajo që është interesante dhe që tërheq vëmendjen në deklaratën e sotme të Mickoskit është se derisa folte për zgjedhjet nuk e përmendi fare fjalën “e parakohshme”, raporton 360Gradë.

Kërkesën për zgjedhje të shpejta të parakohshme, partia opozitare dhe lideri i saj deri më tani e kanë theksuar në të gjitha paraqitjet e tyre, qoftë për çështje rreth ndryshimeve kushtetuese apo për tema të tjera.

Mickoski kësaj radhe i ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje, të cilat, siç tha, do të mbahen për disa muaj nga sot dhe me këtë ta mposhtin koalicionin qeverisës të LSDM-së dhe BDI-së.

“Sa më gjatë të qëndrojë kjo qeverisje kriminale e BDI-së dhe LSDM-së apo LSDM-BDI, aq më i lartë do të jetë çmimi që do të paguajë shteti dhe qytetarët. E vetmja mënyrë për të ndëshkuar këta mashtrues kriminelë në Qeveri janë zgjedhjet. U bëj thirrje qytetarëve të Maqedonisë, të gjithë atyre që janë të përcaktuar politikisht apo të gjithë atyre që mund të mos jenë të përcaktuar politikisht, t’i bashkohen VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit dhe në zgjedhjet e ardhshme, që do të mbahen pas disa muajsh nga sot, të dilni dhe votoni. Duke qëndruar në shtëpi nuk mund ta ndihmojmë procesin. Ne duhet të dalim masivisht dhe të mbështesim opsionin që po bashkohet gjithnjë e më shumë rreth VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit që do të udhëheqë VMRO-DPMNE. Vetëm kështu do të përballen me përgjegjësinë këta mashtrues dhe kriminelë politikë. Asnjë ndryshim në asnjë ligj nuk do t’i ndihmojë ata. Po e them, edhe flamur të artë të vendosin, jo evropian, ka dhjetëra nene të tjera në atë ligj dhe në ligje të tjera sipas të cilave do të dalin para drejtësisë. Kriminelët nuk kanë ku të ikin e të fshihen. Por e vetmja mënyrë për të mposhtur kriminelët është votimi masiv”, tha Mickoski sot nga Kavadari.

Ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me rastin e Klinikës së Onkologjisë në Shkup, lideri i VMRO-DPMNE-së tha se ajo që e shqetëson është se organet e rendit duket se e injorojnë këtë rast, sepse edhe pas më shumë se 10 ditëve hetim,nuk ka asnjë informacion për përgjegjësit për atë që po ndodhte në Onkologji.

“Përveç faktit që merren çdo ditë me VMRO-DPMNE-në dhe opozitën, e shihni se si e kanë futur gjithë këtë nën qilim, e injorojnë, e harrojnë dhe deri në këtë moment, ndoshta pas 10 ditësh, dy javësh, nuk ka asnjë informacion, as persona që janë disi të lidhur me këtë rast dhe të tillë janë të shumtë. Publiku i njeh, askush nuk mund të më bindë, as mua dhe askënd, se ata që udhëheqin hetimin nuk i dinë emrat e personave që janë më fajtorët për atë që ka ndodhur në Onkologji në periudhën e kaluar”, tha Mickoski.

Në këtë kontekst, lideri i opozitës tha se për disa muaj nga sot do të ketë një qeveri të re, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja dhe se do të kërkojë personalisht dënime të larta për përgjegjësit e skandalit dhe për ata që siç thotë ai, duan të vënë nën qilim.

“Më duhet t’u kujtoj se pas disa muajsh nga sot do të kemi një qeveri të re të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe se ata që e vendosën këtë në tapet, por edhe ata që janë pjesë e kësaj shoqate të tmerrshme mafioze do të sillen para drejtësisë sa më shpejt dhe unë personalisht do të kërkoj dënime më të larta për ata që mundohen ta fusin rastin nën qilim, por edhe për ata që janë më përgjegjës për këtë ndodhi”, tha Mickoski.

Kreu i opozitës u pyet edhe për inflacionin, për të cilin, si edhe deri tani, fajësoi qeverinë, e cila, siç tha, është e paaftë t’i përgjigjet rritjes së çmimeve.

Deri në fund të gushtit, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ripërsëriste qëndrimin e partisë se nuk ka ndryshime kushtetuese nën diktatin e Bullgarisë dhe se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Në takim është konfirmuar qëndrimi i koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE lidhur me ndryshimet kushtetuese. Kryetari Mickoski thekson se pushteti aktual në Maqedoni dezinformon bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë edhe SHBA-në, për shumë çështje të brendshme politike. Edhe njëherë u konfirmua qëndrimi i partisë se përkushtimi dhe prioriteti thelbësor i VMRO-DPMNE-së janë vlerat e BE-së dhe euroatlantike. Në të njëjtën kohë, kryetari Mickoski tregoi se e vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo situatë jashtëzakonisht e vështirë është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në të cilat qytetarët do të zgjedhin një qeveri me legjitimitet”, thuhej në kumtesën e VMRO-DPMNE-së me rastin e takimit të Mickoskit me diplomatin amerikan Escobar.

Baby Boo