A po zbrazen shkollat e Tetovës, ja statistikat


Në Komunën e Tetovës, nëse në vitin 2016 në shkollat e mesme ka patur 10.086 nxënës, në vitin 2017 ky numër ka rënë në 9999 nxënës, kurse në vitin 2018 janë gjithsej 9.811 nxënës. Kjo do të thotë se vetëm brenda tre vitesh – në shkollat e mesme të Tetovës ka 275 nxënës më pak. Ndërkohë, vetëm në Komunën e Tearcës, numri total i nxënësve për tre vite ka shënuar rënie për mbi 500 nxënës. Sipas shifrave zyrtare, në shkollat fillore në këtë komunë në vitin 2013/14 ka patur gjithsej 1969 nxënës, kurse në vitin 2016/17, ky numër ka qenë 1428 nxënës.

Numri i nxënësve nëpër shkollat fillore të Tetovës dhe rrethinës shënon rënie nga viti në vit. Më shumë kjo vërehet në komunat rurale se sa në Komunën e Tetovës, sidomos në tre vitet e fundit gjatë regjistrimeve në shkollat e mesme, shkruan gazeta KOHA. Sipas shifrave me të cilët disponon Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës, trendi i uljes së nxënësve vërehet në shkollat e mesme, ngase sipas këtij Sektori, çdo ditë e më pak nxënës po regjistrohen.

Shifrat tregojnë se, nëse në vitin 2016 në shkollat e mesme ka patur 10.086 nxënës, në vitin 2017 ky numër ka rënë në 9999 nxënës, kurse në vitin 2018 janë gjithsej 9.811 nxënës. Kjo do të thotë se vetëm brenda tre vitesh – në shkollat e mesme të Tetovës ka 275 nxënës më pak.

Në ndërkohë, në shkollat fillore të Komunës së Tetovës, gjatë katër viteve të kaluara – prej klasës së parë në klasën e dytë gjithsej 61 nxënës nuk e kanë vijuar mësimin për arsye të ndryshme, që në total i vjen dy paralele.

Saktësisht, në vitin shkollor 2013/14, në klasën e parë ka patur 1160 nxënës, ndërsa në klasën e dytë ka patur 1120 nxënës. Në vitin 2014/15, në klasën e parë ka patur 1074 nxënës, ndërsa në klasën e dytë 1056 nxënës. Një vit më pas, respektivisht në vitin 2015/16, gjithsej në klasë të parë ka patur 1119 nxënës, që është shifër e njëjtë edhe në klasën e dytë. Këtë vit shkollor (2017/18), në klasë të parë janë regjistruar 1122 nxënës dhe nëse kjo shifër krahasohet me vitin 2013, atëherë del se janë më pak diku rreth 38 nxënës.

Rënie e numrit të nxënësve vërehet edhe nga klasa e pestë e deri në klasën e nëntë. Në bazë të dhënave zyrtare, në shkolla fillore në Komunën e Tetovës, nga viti 2015 e deri në vitin 2017 në klasën e gjashtë ka 22 nxënës me pak, gjegjësisht nëse në vitin 2015 ka patur 1117 nxënës, në vitin 2017 në klasën e gjashtë ka 1095 nxënës.

Sipas drejtuesit të Sektorit për veprimtari publike, Ahmed Qazimi, ulja e numrit të nxënësve në shkollat fillore është hasur më shumë në komunat rurale, pasi në këtë drejtim – shifrat tregojnë ulje të numrit të nxënësve në shkollat e mesme. Ai thekson se në këtë drejtim, si shkak kryesor që ka ndikuar në uljen e numrit është migrimi jashtë vendit, si dhe shpërngulja brenda në rrethinën e Tetovës.

“Në këtë drejtim, krahas shumë faktorëve, poashtu një ndikim ka edhe shpërngulja nga fshati në qytet. Kjo më së shumti haset në komunat rurale, prandaj edhe në shkollat fillore të Tetovës kemi një rënie të vogël të numrit të nxënësve, sepse kur një familje shpërngulet në qytet, normalisht se fëmijët mësimin e ndjekin në shkollat e Tetovës. Prandaj, në Komunën e Tetovës për sa i përket shkollimit fillor, ky fenomen është më pak i përhapur, kurse në shkollat e mesme gjithnjë na vijnë më pak nxënës nga komunat rurale”, thotë për KOHA, Qazimi.

Njohës të këtyre rrethanave thonë se shteti shumë pak po bën që popullata të mos shpërngulet, por dhe të mos braktis vendin.

“Jemi dëshmitarë të një procesi të dhimbshëm, i cila për çdo ditë ndodh në rajonin tonë – largimi i të rinjve, ndërsa e keqja është edhe më e madhe pasi gati askush nga institucionet nuk ndërmerr masa për parandalimin e këtij procesi. Mendoj se kjo ndodh në radhë të parë si rezultat i gjendjes ekonomike-politike të shtetit në nivel nacional dhe e dyta – mungesa e perspektivës së të rinjve, ku mundësi e vetme e tyre për punësim është angazhimi i tyre në struktura të ndryshme partiake. Për gati 10 vite, numri i fëmijëve zvogëlohet diku rreth 50 për qind, ndërsa ajo që është më tragjike – masat e ndryshme që mundohet shteti t’i promovojë janë pa efekt”, thotë Metin Muharemi, kryetar i Qendrës për Edukim dhe zhvillim (CED).

Për të parandaluar këtë fenomen, njohësit thonë se është e vështirë, prandaj apelojnë që të merren masa për zbutjen e gjendjes. “Mendoj se ky proces nuk mund të ndalet, por sadopak mund të zbutet në drejtim të asaj që disa kuadro që kthehen dhe të angazhohen në sektorin privat ose të zhvillojnë biznese të tyre, pasi në shumicën e rasteve, ata posedojnë kapacitete dhe vlera të mirëfillta. Bëj apel për përfshirje të mirëfilltë të të rinjve në të gjitha strukturat e ndryshme shoqërore, ndryshe për më pak se pesë vite, do të renditemi në listën e shteteve me popullsi më të plakur, ndërsa pasojat do t’i ndjejnë gjeneratat e ardhshme, të cilat pas çdo viti po zhduken. Do jemi shembull për një sistem jofunksional dhe shtet pa perspektivë, jo vetëm për të rinjtë, por edhe për ata që edhe kanë vendosur të jetojnë këtu”, theksoi Muharemi.

Në Komunën e Tearcës, sipas shifrave zyrtare, brenda tre vitesh, në të gjitha shkollat fillore në këtë komunë, në klasë të parë janë regjistruar rreth 30 nxënës më pak.

“Në vitin 2013, në klasë të parë ka patur 198 nxënës, një vit më pas 179 janë regjistruar në klasë të parë, ndërsa në vitin 2015, ky numër ka arritur në 164. Një rritje të vogël vërehet vitin e kaluar kur në klasë të parë janë regjistruar 173 nxënës”, bëjnë të ditur nga Komuna e Tearcës. Në këtë komunë, numri total i nxënësve për tre vite ka shënuar rënie mbi 500 nxënës. Sipas shifrave, në vitin 2013/14 ka patur gjithsej 1969 nxënës në Komunën e Tearcës, kurse në vitin 2016/17 – ky numër ka qenë 1428 nxënës.

Baby Boo