A po na pret fushatë e zezë zgjedhore? Digjen bilborde me mesazhe thumbuese mes partive politike


Fushata zgjedhore zyrtarisht ende nuk ka nisur, por nëpër disa bilborde të Shkupit tashmë shihen mesazhe thumbuese mes partive politike. Por disa prej tyre janë djegur e disa të tjera shkarravitur me ngjyrë. A do të thotë kjo se do të kemi fushatë të zezë?

“Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se gjatë orëve të para të ditës së sotme janë djegur dy bilborde. Njëri bilbord gjendet në rrugën “Vasil Gjorgev” ndërsa tjetri në bulevardin “Metropolit Teodosij”. Por, siç mund të shohim edhe nga bilbordi që gjendet prapa nesh, përveç djegies kemi edhe ngjyrosje të tyre. Për shembull, nga ky bilbord që është vendosur nga partia maqedonase VMRO-DPMNE shihet se si shkruan se një person u pasurua, 2 milionë të tjerë u varfëruan”.

Djegia e bilbordeve sipas liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski është organizuar nga LSDM-ja. Ai ka paralajmëruar se pas 12-prillit do të ketë përgjegjësi për këtë, ndërkaq ka vlerësuar se kjo do të ndikojë edhe në nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

“Ne flasim për shtet i cili nesër planifikon të nis negociatat me Bashkimin Evropian, a kritikën nuk mundet ju ta përballoni. Dhe çfarë bëni? Organizoni njerëz që shkojnë dhe i djegin dhe ne flasim për zgjedhje fer dhe demokratike? Dhe të rinjve dhe porositësve u them se pas 12 prillit do të ketë prëgjegjësi”, deklaroi Mickoski.

Për akuzat e VMRO-DPMNE-së kërkuan qëndrim nga LSDM-ja, por nga atje të pakapshëm për të dhënë përgjigje se a i porositin djegiet dhe ngjyrosjet e bilbordeve.
Se fushata e zezë mund ta ndikojë nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian, vlerësuan edhe nga opozita shqiptare Aleanca për Shqiptarët. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Arben Taravari ka ftuar edhe për moskeqpërdorim të pushtetit nga partitë politike.

“Ne jemi në prag të marrjes së datës për negociata dhe mendoj se një prej kushteve kryesore që ta marrim datën për negociata, mund të jepet një sinjal pozitiv në mars, është edhe mbajtja e zgjedhjeve të cilat do të ishin me standarde evropiane”, potencoi Taravari.
Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 12 prill, e kurse fushata zyrtarisht duhet të fillojë 20 ditë para zgjedhjeve.

Baby Boo