A mund ta marrin gratë shtatzëna vaksinën kundër COVID-19?


Përderisa shumë vende të botës po administrojnë vaksinat kundër koronavirusit të ri, jo të gjitha grupet shoqërore mund ta marrin atë. Për gratë shtatzëna dhe ato gjidhënëse, marrja e vaksinës do të varet nëse shtetet ku ato jetojnë do ta lejojnë apo ndalojnë një gjë të tillë. Në Mbretërinë e Bashkuar, rregullatorët shëndetësorë kanë vendosur, që për shkak të mungesës së të dhënave mbi efektet e vaksinës ndaj grave shtatzëna, ato nuk do ta marrin atë.

Ndërkaq, në Shtetet e Bashkuara, Administrata për Ushqim dhe Barna, ka thënë se janë gratë shtatzëna dhe nënat gjidhënëse që do të vendosin nëse duan ta marrin apo jo vaksinën. Në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëri të Bashkuar, shtetet e Bashkimit Evropian dhe në vende të tjera të botës, ka nisur administrimi i vaksinës kundër koronavirusit, të krijuar nga Pfizer dhe BioNTech, kompani të cilat, gjatë fazave testuese, nuk kanë përfshirë gratë shtatzëna dhe gjidhënëse në studimet e tyre.

Ndërkaq, Agjencia Evropiane e Barnave, tha se administrimi i vaksinës së Pfizer/BioNTech ndaj grave shtatzëna, duhet të shqyrtohet për secilin rast veç e veç. Megjithatë, kjo agjenci tha se mund ta ndryshojë rekomandimin për vaksinat ndaj grave shtatzëna nëse ka të dhëna të reja. Doktoresha Ruth Faden nga Universiteti Jons Hopkins thotë se “nuk ka të dhëna”, nëse vaksina është e rrezikshme për gratë shtatzëna, shkruan BBC. Por, Qendrat për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve (CDC) me bazë në SHBA thonë se ka pak gjasa që vaksinat kundër koronavirusit të kenë ndikim negativ te gratë shtatzëna.

“Përderisa studimet ende nuk janë bërë, bazuar se si funksionojnë vaksinat (me teknologjinë) mRNA, ekspertët besojnë se ka pak gjasa që ajo të ketë rrezik ndaj grave shtatzëna”, thotë CDC. Teknologjia mRA është përdorur në prodhimin e vaksinës së Pfizer/BioNTech dhe asaj të kompanisë Moderna. Kjo teknologji përpunon kodit gjenetik të virusi.

“Vaksinat mRNA nuk përmbajnë virusin që e shkakton sëmundjen COVID-19, prandaj nga marrja e vaksinës askush nuk do të infektohet me koronavirus. Megjithatë, rreziqet potenciale ndaj grave shtatzëna dhe fetusit të tyre janë të panjohura sepse këto vaksina nuk janë studiuar në gratë shtatzëna”, thotë CDC. CDC po ashtu thotë se nuk ka të dhëna lidhur me ndikimin që mund të kenë vaksinat ndaj COVID-19, për nënat që ushqejnë fëmijët e tyre me gji.

Baby Boo