A ka gjasë që vaksinat kundër COVID-19 ta sjellin imunitetin e tufës?

Qeveritë e shteteve të ndryshme dhe zyrtarët janë duke shpresuar që vaksinat kundër koronavirusit do ta sjellin të ashtuquajturin imunitet i tufës. Disa madje kanë thënë se imunizimi i dy të tretave të popullsisë mund ta ndalë sëmundjen dhe mund të ofrojë ndihmë për të mbrojtur kombe të tëra. Megjithatë, ky koncept vjen me paralajmërime dhe kërkesa të mëdha për atë se çfarë mund të parandalojnë vaksinat. Disa ekspertë thonë se këto pritje janë të gabuara.

Baby Boo

Për fillim, për të zbuluar se çfarë nevojitet për ta arritur imunitetin e tufes me vaksina kundër COVID-19 duhet të merren parasysh faktorë të ndryshëm, disa prej të cilëve janë të panjohur. Cila është shkalla e përhapjes së virusit që e shkakton sëmundjen COVID-19? A do ta ndalin transmetimin e virusit vaksinat e para apo vetëm do ta parandalojnë sëmurjen e njerëzve? Sa njerëz në një popullatë do ta pranojnë vaksinën? A do ta ofrojnë vaksinat mbrojtjen e njëjtë për të gjithë?

“Imuniteti i tufës nganjëherë kuptohet fuqishëm si mbrojtje individuale. Nuk është e duhur të mendohet ‘Unë për vete nuk do të prekem, sepse ekziston imuniteti i tufës’. Imuniteti i tufës i referohet mbrojtjes në komunitet, jo mënyrës se si një individ është i mbrojtur”, tha Josep Jansa, ekspert i emergjencave mjekësore në Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve.

Kjo qendër përdor një prag të imunitetit të tufës prej 67 për qind për modelet e veta ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel, këtë muaj deklaroi se masat kufizuese në Gjermani mund të largohen nëse 60 deri 70 për qind e popullsisë fitojnë imunitet qoftë përmes vaksinës, qoftë përmes infektimit. Edhe ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë thënë se mbulimi me vaksinë i shkallës prej 65 deri në 70 për qind të popullsisë është një rrugë për ta arritur imunitetin e popullatës.