A ishte kjo pasuria marramendëse e ushtrisë së viteve ’80?


Leonard Veizi

Kolonel Pëllumb Zaimin, ish-punonjës shkencor dhe ish-pedagog në Akademinë Ushtarake flet për vlerën monetare të sektorit të mbrojtjes së viteve ’80. Pasuria marramendëse e ushtrisë, 130 miliard dollarë asete?

*****

I pabesueshëm, në sasi dhe vlerë monetare, arsenali i lëvizshëm i ushtrisë shqiptare deri në vitin 1990. Nëse shtohen dhe objektet e palëvizshëm e territoret, shifra rritet në mënyrë katastrofike…

…Në sektorin shkencor të Akademisë Ushtarake, ku ai bënte pjesë bashkë me 5 kolegë të tjerë si ekspert i analizave ushtarake, vinin informacione më shumë se kudo tjetër, për shkak të rëndësisë që kishte vetë detyra. Falë punës së gjatë në sektorin nga dilnin tezat, nga ku duhej të mbështetej ushtria në paqe e në rast lufte, ai ka njohuri të gjithanshme. E veç kësaj, pas përvojës në terren si komandant i një batalioni art-mitraljer, vite më vonë do të emërohej edhe në krye të kabinetit të komandës së forcave ajrore. Duke pasur këto detyra, ai është i gatshëm të japi përgjigje edhe atje ku duket se nuk e ka informacionin e duhur. Gjithsesi, koloneli në rezervë Pëllumb Zaimi, thotë se ushtria Shqiptare “notonte” mbi para, përderisa asetet e saj të shitëshme, kapnin një vlerë prej miliarda dollarësh. Të gjitha këto ai i sqaron gjatë një interviste për gazetën “Dita”:

Si trajtohen sot nga ana financiare ushtarakët e dalë në lirim dhe ata në pension?

Ushtarakët shqiptarë duhet të trajtohen më denjësisht, ata që janë në detyrë, ata që kanë dalë në rezerve dhe ata që janë në pension. Para ka mjaftueshëm për të gjithë ushtarakë e ish-ushtarakë, sa për të mos e ndjerë krizën.

Në një krizë globale ku mund të gjenden këto para?

Ato duhet të ishin bërë vit pas viti, që nga çasti që u mor vendimi politik se Shqipëria nuk kishte nevojë për një ushtri aq të madhe sa ishte ajo e viteve ’90. Pra këto para gjendeshin në asetet e ushtrisë. Aty ka pasur shifra kolosale parash, por dhe ka ende. Them ka pasur pasi një pjesë e mirë e tyre tanimë janë zhdukur. Por në qoftë se asetet e ushtrisë do të administroheshin në rregull e sipas ligjit, vetëm 10% e shifrës totale që kapin këto asete do ta rregullonin bilancin e pagave të ushtrisë dhe administratës shtetërore për shumë vite me radhë. Dhe kriza nuk kishte pse të ndihej as sa t’u heqësh ushtarakëve dhe ushqimin.

Të flasim më konkretisht?

Ushtria shqiptare e viteve ’90 ka pasur një arsenal të jashtëzakonshëm, armësh, municioni, karburanti, ushqime e veshmbathje. Nëse këto do të shiteshin sipas rregullave, buxheti i shtetit do të furnizohej çdo vit me disa qindra milionë dollarë.

Çfarë shifre kapin këto asete?

Ju them pa frikë, duke u bazuar në atë që kanë nxjerre dhe specialistët e fushës, se ushtria shqiptare ka pasur asete që vlenin deri në 130 miliard dollarë, duke futur këtu objektet dhe territoret.

A nuk ju duket kjo një shifër shumë e lartë, madje e ekzagjeruar?

Mund të jetë shumë e lartë por është e vërtetë dhe e bazuar mbi fakte konkrete.

Që do të thotë…?

Që do të thotë se vetëm municioni i ushtrisë shqiptare, ai i importuar dhe ai i prodhuar në vend, i sistemuar në disa qindra depo e tunele, kap shifrën e 65 miliard dollarëve. Të mos harrojmë se uzina e Poliçanit prodhonte 48-58 ton municion në 24 orë, fishekë pushke, automatiku, mitralozi të lehtë e të rëndë. Gramshi prodhonte 400-500 automatikë e pushkë automatike në ditë ose 120 mijë në vit me një kosto prej 6000 dollarë për copë. Kostoja ishte e lartë pavarësisht se ato në tregun e zi të viteve të fundit patën një vlerë shitje prej 300 dollarësh. Mjekësi prodhonte më shumë se 6000 ton eksploziv në vit.

Ndërkohë çfarë tjetër mund të ishte e shitëshme nga arsenali i ushtrisë?

Ushtria shqiptare ka pasur 196 avionë dhe helikopterë, dhe po të shtojmë këtu 40 avionë AN-2, 3-avionë qeveritarë IL-14 shkojnë 240. Flota ajrore numëron 125 avionë MIG të tipave të ndryshme që varionin nga 15-25 milion dollarë për ekzemplarë. Mesatarja kap vlerën e 4 (katër) miliard dollarëve.

Sa ka qenë forca e ushtrisë tek mjetet e blinduara?

Në ushtri numëroheshin 1200 tanke e transportues të blinduar. Një tank kapte shifrën e 600-800 mijë dollarëve sipas tipave. Mesatarisht kap vlerën 1 (një) miliard dollarë.

Po artileria kundërajrore?

Në artilerinë kundërajrore numëroheshin të paktën 4000 gryka zjarri që përbëheshin nga mortajat 60 mm, tek topat obuz 122 e 150 mm. Ndërkohë në këtë artileri futeshin edhe katjushat ML-130, 12 dhe 19 grykëshe. Marr parasysh se topat obuz më të thjeshtë, ata 122 kanë pasur në një vlerë prej 70 mijë USD. Në artilerinë kundërajrore futen edhe grupet e raketave SAM-2 tokë-ajër. Ushtria shqiptare dispononte rreth 200 të tilla.

Të vijmë tek forcat Detare?

Forcat Detare numëronin të paktën 100 copë anije të tipave të ndryshme, nga të cilat 4 nëndetëse, 4 gjuajtës të mëdhenj, 6 gjuajtës të vegjël, 2 dragamina të mëdha, 6 dragamina të vogla, rreth 60 katra silurues etj. Por ka pasur dhe një armatim prej 400-500 copë silura me vlerë rreth 1500 dollarë copa, (700 mijë dollarë) dhe mbi 2000 mina detare me vlerë mbi 1000 dollarë copa (2 milion dollarë).

Çfarë vlere kishin uzinat ushtarake?

Kishim uzina ushtarake me vlera kolosale si: Uzina e Tankeve dhe e Artilerisë në Tiranë, e baterive në Berat, e armatimit në Gramsh, e municionit në Poliçan, e lëndëve plasëse në Mjekës, (që ishte 100 % me teknologji suedeze), ishin gjithashtu uzina e riparimit të avionëve në Kuçovë, uzina e lokacionit, KRAF-i i Pasha Limanit, për remontin e anijeve mbiujëse dhe nëndetëseve. Këtu nuk po përmend një seri mini-uzinash në të gjithë territorin e republikës ku bëhej remont i pjesshëm i mjeteve luftarake. Këto uzina kishin teknologji moderne, përgjithësisht kineze por dhe franceze e suedeze që ishin fjala e fundit për kohën. Vlera monetarë është vështirë të nxirret pa dokumentet përkatës.

Sa ka qenë ndihma në vlerë monetare që na ka dhënë Bashkimi Sovjetik dhe Kina?

Natyrisht unë nuk mund të flas dot për gjëra që nuk i di, por mund të jap vetëm një shifër të parë në një dokument sekret. Në atë dokument flitej për një ndihmë prej 17 miliard dollarësh të dhënë nga Kina në vitet 1974-1976, e gjitha në pajisje ushtarake.

Çfarë arsenali ushtarak sillte Kina në Shqipëri për të pasur shifra të tilla marramendëse?

Mund të them se në ndihmat e Kinës për ushtrinë shqiptare fillonin nga thikat speciale që përdoreshin në të gjithë ushtrinë, por sidomos tek repartet e zbulimit, tek dylbitë B-12 që e afronin një objekt deri në 12 herë, e për të shkuar tek tanket, avionët e mjetet e riparimit për nëndetëset e anijet mbiujëse luftarake. Të mos harrojmë se ushtria kishte rreth 15 mijë automjete transporti. Por gjithashtu brigadat e xhenios kishin në inventar disa dhjetëra ura të montueshme të tipit “Ponton” dhe “Beli” ku kalonin jo vetëm trupa këmbësorie e makina, por dhe tanket. Por nga Kina edhen edhe disa spitale fushor me të gjitha pajisjet. Ndërkohë ushtria u pajis radio-lokator, por dhe me radio-pelingator për 7-8 pikat e radio-zbulimit të ushtrisë.

A ka një inventar të plot të këtyre mjeteve?

Para vitit 1992 këto inventarë kanë qenë të plota, por pas vitit 1997 gjithçka është asgjësuar. Kjo kërkon një revizionim të saktë. Nëse ngrihet një grup pune me revizorë e teknicienë dalin përfundimet. Nuk dihet çfarë është bërë e po bëhet me pronat e ushtrisë, që siç e përmenda, ato kapin një shifër prej 130 miliard dollarësh.

Asgjësimi i rezervave të luftës

Sipas kolonel Pëllumb Zaimit: “Ushtria ka pasur rezerva të mëdha të paprekshme që kodoheshin “101 K”. Në këto rezerva futeshin edhe vlerat monetare në rast lufte që ishin tepër-tepër sekret. Por kishte ushqim, veshmbathje, municion e karburante të projektuara për 5 vite lufte. Në vitin 1997 u shpërdoruar të paktën 50 mijë ton karburant, dhe në atë kohë karburanti kishte një vlerë prej 600 lek për litër. Por me këtë rast u asgjësuan dhe dokumentacionet dhe kështu askush nuk u fajësua për këto vjedhje gjigante që ishin pasuri e ushtrisë dhe e vetë popullit shqiptar”.

Objektet e ndërtuara, ushtria 120 mijë apartamente

“Në fund të vitit 1992 na vjen një urdhër i ministrit të Mbrojtjes Safet Zhulali, i cili kërkonte të dinte se sa sipërfaqe banimi kishte Divizioni i Parë i Tiranës (që ishte dhe më i madhe në vend), me qëllim që të strehoheshin ushtarakët që ishin pa shtëpi. Punuam mbi harta dhe në fund dolëm në konkluzionin se Divizioni i Parë kishte hapësira banimi prej dhomë e kushinë, 1+1 sipas standartit të kohës, të paktën 8000 hyrje. Shqipëria kishte një potencial prej 22 divizionesh. Po të marrim një mesatare që njësitë e tjera kishin 5000-6000 hyrje të tilla, pra 1+1, mund të strehoheshin të paktën 120 mijë familje. Por ku janë këto prona tani, po trojet përreth tyre? Ky është dhe abuzimi më i madh i qeverive që kanë ardhur në Shqipëri pas vitit 1992”, kujton kolonel Zaimi.

Ndërtimi i fortifikimeve

Pëllumb Zaimi thotë se në Shqipëri u ndërtuan 175 mijë qendra zjarri, ku çdo njëra prej tyre kishte një vlerë prej 7500 lekë të reja, me përjashtim të atyre më të mëdha. “Por ndërtuan dhe shumë kilometra tunele nëntokësore bazat e strehimit të avionëve dhe dy kryeveprat arkitektonike që ishin Baza Ajrore e Gjadrit dhe Baza Detare e Porto-Palermos. Gjithashtu janë ndërtuar dhe komandat e batalioneve, brigadave e më tej. Këto objekte janë ndërtuar me punën e oficerëve dhe ushtarëve. Më kujtohet që kur isha oficer i ri, komandanti i batalionit Destan Shira ngriti me ushtarët e oficerët, por duke qenë vet në krye të punëve, komandën e batalionit dhe ndërtesat e kompanive me një hapësirë prej 800 metra katrorë. Gjithçka me forcat e repartit e duke thyer gurë në mal. Duhet kuptuar se për kohën fortifikimi ishte i nevojshëm. Nuk ishim të vetmit që merrnim masa të tilla. Për shkak të Luftës së Ftohtë, Norvegjia hapi mbi 11 mijë/km tunele fotifikuese, Zvicra 16 mijë/km, Franca 8 mijë/km ndërsa vetëm Moska gjithashtu 8 mijë/km tunele që shërbenin për komandën e Përgjithshme Sovjetike”.

Baby Boo