A është BFI-ja intitucion shtetëror ose privat, apo asnjëra nga të dyjat?!


Nga: Arbër Çeliku

Pa mos dashur të hyj në prapaskenat e “konfliktit”, hë për hë, midis Muhamed Zeqirit dhe BFI-së, të cilat mund të jenë sa evidente po aq edhe kontroverse, si pjesëtar i komunitetit mysliman, por edhe si qytetar dhe intelektual, detyrohem të parashtroj disa pyetje me interes publik, të cilat do të na ndihmojnë në kuptimin më të mirë të çështjes në fjalë:

1. A është BFI-ja institucion shtetëror në Republikën e Maqedonisë (Veriore)? Nëse po, atëherë nga kush është themeluar: parlamenti, qeveria,…?
2. Nëse mëtohet ndërhyrja shtetërore në BFI, atëherë si do të përligjet kjo? Cili nen i Kushtetutës, apo cili nen i Ligjit për organizim fetar, nëse ekziston një ligj i tillë, do të merret parasysh me këtë rast?
3. Në rast të ankesës, ta zëmë, nëse do të ndërrohet Kryetari, a është Gjykata Kushtetuese kompetente për kushtetuetshmërinë e ndërhyrjes?
4. Sa buxhet shtetëror i ndahet BFI-së në vit, që të mund ligjërisht t’i bëhet një skaner financiar këtij institucioni?
5. Çdo institucion shtetëror, të paktën, një herë në vit, duhet t’i nënshtrohet një revizioni financiar nga organi përkatës, i cili me ligj është i pavarur. Kur për herë të fundit është bërë një revizion financiar i BFI-së nga ana e shtetit?
6. Organizimi hierarkik i BFI-së, e cila ka një statut, në cilin predispozitë ligjore bazohet?

Ka edhe shumë pyetje të tjera, por këto janë të mjaftueshme sa për ta kuptuar realitetin objektiv. Kushdo që të përpiqet t’u japë përgjigje këtyre pyetje, rezultati do të jetë ky, se: Feja islame kurrë nuk ka qenë e institucionalizuar në RM(V). Ajo ka funksionuar gjithmonë duke u bazuar në vullnetin e mirë të pjesëtarëve të komunitetit islam, i cili numerikisht është rreth 1 milion e 200 mijë në Maqedoni (nëse gaboj, lus BFI-në të më korrigjojë). Para se të hidhen akuza të tilla, e udhës do të ishte që në Parlament të diskutoheshin moduset e institucionalizimit të fesë islame dhe, pastaj, të kërkohet përgjegjësi nga BFI-ja. Kjo që po ndodh tani, të ngre dyshime se në shprehje mund të vijnë interesa personale, klanore a grupore, por edhe aspekte të synimit të politizimit të kësaj Bashkësie, e cila nuk është as shtetërore dhe as private, por që ka një rezonim të jashtëzakonshëm në organizimin shoqëror.

Baby Boo