A do të zëvendësohen ditët e humbura për shkak të grevës në arsim? Përgjigjet ministri Shaqiri


“E respektoj të drejtën sindikale për grevë, por ky duhet të jetë vendimi dhe hapi i fundit”. Këtë e tha ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në lidhje me grevën në arsim, ndërsa shtoi se dialogu social do të vazhdojë dhe se sot apo nesër do të kenë takim me SASHK-un.

Ai gjithashtu deklaroi se orët e humbura do të zëvendësohet, vetëm se duhet të gjendet mënyra se si.

“Patjetër që orët e humbura do të zëvendësohen dhe do të shihet mënyra se si. Do të jemi në komunikim me të gjithë, ndërsa drejtorët e dijnë se në cilën lëndë nxënësit kanë humbur dhe ta zëvendësojnë mësimin. Do të bëj thirrje sa më shpejtë që të arrihet një marrëveshje e përbashkët për këto çështje dhe të vazhdojë mësimi”, tha Shaqiri gjatë një vizite në shkollën e mesme “Vlado Tasevski” ku po mbahet testimi ndërkombëtar PISA.

Ai ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit dhe Shkencës është në komunikim me drejtorët e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme për atë nëse dhe si po zhvillohet mësimi dhe sa janë të përfshirë në grevë.

Shaqiri tha se pas orës 14, gjegjësisht pas fillimit të ndërrimit të dytë nëpër shkolla, do të kenë informacione për përfshirjen e tyre në grevë.

Në shkollën që ka vizituar ai ka thënë se nga gjithsej 117 punëtorë, 18 kanë qenë në grevë, përfshirë personel mësimor dhe personel teknik dhe janë në dhomë të veçantë.

“Mendoj se kjo është situata në shumë qytete. Kam informata fillestare, por duhet ta konfirmoj në bashkëpunim me inspektoratin e arsimit, di raste ku ka pasur nxënës që kanë dashur të hyjnë në mësim, por nuk janë lejuar në shkolla për shkak të vendimit për grevë”, tha Shaqiri.

Baby Boo