A do të shtrenjtohet çmimi për ngrohje?


Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) sot duhet të njoftojë se sa do të rritet çmimi i ngrohjes qendrore për përdoruesit e BEG. Informacionet janë se kjo kompani ka kërkuar që ngrohja qendrore të rritet me 300 për qind. Mirëpo, kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski, dje tha se rritja drastike e çmimit të ngrohjes qendrore nuk është zgjidhje pasi në atë rast shumë shfrytëzues do të kalonin në ngrohje me rrymë, që do t’i sillte goditje shtesë sistemit energjetik.

“Çmimi i blerjes së gazit natyror në pjesën ku BEG blen me çmimin e bursave është rreth 1480 dollarë për metër kub. Kjo është blerje për muajin janar dhe është pothuajse 6 herë më e lartë se mesatarja e vitit 2021 kur ishte 240 dollarë për metër kub. Atë që e mendova për energjinë elektrike, e mendoj edhe për ngrohjen – se rritja drastike e çmimit të ngrohjes nuk është zgjidhje sepse shumë konsumatorë do të shkëputen nga sistemi dhe do të fillojnë të përdorin energjinë elektrike për ngrohje. Jemi në komunikim me qeverinë dhe mendoj se do të gjejmë mirëkuptim, por i ftoj përgjegjësit në qytetin e Shkupit dhe komunat në qytet që të përfshihen aktivisht dhe nëse është e nevojshme të ofrojnë subvencione të duhura për konsumatorët. Pres që të takohen”, tha kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimoski.

Ndryshe dje u njoftua edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike për 9,48 për qind.

Përveç rritjes së çmimit, e re është edhe pezullimi i energjisë së lirë elektrike ditore.

Tarifa e lirë do të vazhdojë të jetë e vlefshme gjatë natës dhe të dielën./portalb

Baby Boo