Thaçi kujton Konferencën e Rambujesë: Kosova për herë të parë foli dhe vendosi për vetveten


Në ditën kur është nisur për një vizitë në SHBA, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka kujtuar unitetin e treguar të lidershipit kosovar në Konferencën e Rambujesë, e cila filloi më 6 shkurt dhe zgjati deri më 23 shkurt të vitit 1999.
Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se në këtë ditë kujtojmë të gjithë heronjtë e rënë në luftë dhe përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, veçanërisht të SHBA-së dhe partnerëve tjerë euroatlantikë.

Postimi i plotë i Thaçit:

“Në Rambuje, 21 vjet më parë, Kosova për herë të parë foli dhe vendosi për vetveten. Pas negociatave rraskapitëse, tri javore, delegacioni ynë i ofroi bashkësisë ndërkombëtare pajtueshmëri në parim për marrëveshjen e negociuar. Shteti i Serbisë, paralelisht me gjenocidin që kryente në Kosovë, refuzoi mundësitë për arritjen e marrëveshjes për paqe.
Pas konsultimeve dhe marrjes së pëlqimit nga populli i Kosovës, marrëveshja në mes palës kosovare dhe bashkësisë ndërkombëtare zyrtarisht u nënshkrua në muajin mars, në Paris. Kosova u radhit në anën e drejtë të historisë, në bashkësinë e popujve që ndajnë vlerat dhe parimet e civilizimit perëndimor. Pas kësaj ndodhi intervenimi i NATO-s dhe fituam lirinë, para se të bëhemi shtet. Kosova, për 12 vjet pavarësi ka arritur më shumë se cilido shtet tjetër.

Në këtë ditë kujtojmë të gjithë heronjtë e rënë në luftë dhe përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, veçanërisht të SHBA-së dhe partnerëve tjerë euroatlantikë. Edhe sot, në kapitullin e ri për integrim në NATO dhe BE, si asnjëherë më parë, në Kosovë kërkohet ta ruajmë unitetin e brendshëm politik e qytetar dhe të ecim përpara bashkë me miqtë ndërkombëtarë”, ka shkruar Thaçi.

Konferenca e Rambujesë i filloi punimet më 6 shkurt të vitit 1999. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.
Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christofer Hill nga SHBA-të, Boris Majorski – Rusi dhe Volfgang Petric nga BE.