“Na doni të keqen”! Kur Enver Hoxha akuzonte Kinën për borxhet e mëdha


Publikohet dokumumenti arkivor me notën e protëstës të datës 11 korrik 1978 ku Tirana zyrtare akuzonte qeverinë kineze se ajo në mënyrë të njëanëshme kishte ndërmarrë një veprim armiqësor duke ndërprerë të gjitha ndihmat ekonomike dhe ushtarake e duke tërhequr të gjithë specialistët e saj nga Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Cilat ishin disa nga akuzat kryesore që Tirana zyrtare kishte artikuluar ndaj Pekinit dhe si e argumentonte ajo se Republika Popullore e Kinës nga viti 1954 deri në 1975-ën nuk i kishte akorduar Shqipërisë 10 miliardë juan sa pretendonte pala kineze nëpërmjet faturave bankare, por vetëm 3.5 miliard juan…?!

Nga Dashnor Kaloçi:

Plot 41 vjet më parë, më 28 korrikun e nxehtë të vitit 1978, Republika Popullore e Kinës i dha fund viteve të gjata të ”mjaltit” me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, duke ndërprerë menjëherë ndihmat e kreditë për qeverinë komuniste të Tiranës, e duke tërhequr përfundimisht nga vëndi më i varfër i Europës edhe të gjithë specialistët, teknikët dhe inxhinierët e saj, civilë dhe ushtarakë, të cilët me nga një valixhe të vogël në dorë, dhe me këmishat e bardha nën kostumet uniformë të dokut, u vunë në rresht për një, përpara hyrjes kryesore të aeroportit të vetëm ndërkombëtar të Rinasit. Ndërprerja e mënjeherëshme e ndihmave dhe kredive, e tërheqja e specialistëve kinezë, nuk ishte e papritur për regjimin komunist të Enver Hoxhës. Ajo erdhi pas një note proteste që Ministria e Jashtëme e Kinës, i kishte dorzuar rreth 20 ditë më parë, ambasadës shqiptare në Pekin, me anë të së cilës i bënte të ditur vendimin e marrë nga udhëheqja e lartë e Kinës.

Në fakt, marrëdhëniet në mes Tiranës zyrtare dhe Pekinit kishin filluar të ftoheshin dhe morën plasaritjet e para që nga fillimi i viteve ’70-të, kur udhëheqja e lartë kineze dhe Mao Ce Duni, vendosën dhe filluan përgatitjet për të pritur në shtëpinë e tyre, presidentin amerikan, Riçard Nikson. Ai vendim i udhëheqjes së lartë kineze, u ra si rrufe në qiell të kaltër, udhëheqjes shqiptare, të cilët e konsideruan atë gjë si një akt të paprecedent për mbarë lëvizjen komuniste botërore dhe parimet e marksizëm-leninizmit. Në këtë frymë, si kundërpërgjigjie ndaj ”devijatorëve” kinezë, Tirana zyrtare, që nuk lëshonte pe, dhe nuk bënte ”tregti” me parimet e marksizëm-leninizmit”, doli me një artikull në gazetën ”Zëri i Popullit”, i cili titullohej: ”Miku i armikut tim, është dhe armiku im”. Në vitet që pasuan, propaganda dhe fryma antikineze e Tiranës erdhi duke u shtuar, deri sa shënoi dhe epilogun e saj më 28 korrik 1978. Po atë ditë, teksa specialistët kinezë merrnin rrugën drejt Rinasit, shqiptarët lexonin në ”Zëri i Popullit”, letrën e Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe Këshillit të Ministrave, udhëheqjes së lartë të Pekinit

Jam plotësisht dakort me këtë përgjegjie të skalitur dhe të merituar që u jepet armiqëve të pabesë dhe të ndyrë Kinezë.

Haki Toska. 28 Korrik 1978

KOMITETIT QËNDROR TË PARTISË KOMUNISTE TË KINËS. KËSHILLIT TË SHTETIT TË REPUBLIKËS POPULLORE TË KINËS

Më 7 korrik 1978 Ministria e Punëve të Jashtëme e Republikës Popullore të Kinës i dorzoi Ambasadës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në Pekin një notë zyrtare, me anën e së cilës njoftohet se Qeveria Kineze ka vendosur “të ndërpresë ndihmën ekonomike dhe ushtarake për Shqipërinë dhe të tërheqë specialistët ekonomikë dhe ushtarakë” që punonin në Shqipëri deri në atë datë.

Me këtë veprim të pabesë dhe armiqësor ndaj Shqipërisë Socialiste, ju çorët pa skrupull marrëveshjet e përfunduara zyrtarisht midis dy vëndeve, shkelët në mënyrë brutale dhe arbitrare rregullat dhe normat më elementare ndërkombëtare, dhe mosmarrëveshjet ideologjike i shtritë edhe në marrëdhëniet shtertërore me Shqipërinë. Duke hedhur këtë hap armiqësor ndaj Shqipërisë Socialiste, ju kërkoni të goditni dhe të dëmtoni ekonominë dhe aftësinë mbrojtëse të vëndit tonë, të sabotoni çështjen e revolucionit dhe të socializmit në Shqipëri. Njëkohësisht ju minoni rëndë miqësinë vëllazërore midis popujve shqiptar dhe kinez.

Duke i dashur të keqen një vëndi socialist, siç është Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, ju kënaqëni armiqtë e socializmit dhe të revolucionit. Përgjegjësia për këtë akt reaksionar e antishqiptar, si dhe për pasojat e tij, bie plotësisht mbi palën kineze. Komiteti qëndror i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare prerjen brutale të ndihmave e kredive për Shqipërinë Socialiste nga ana juaj e denoncojmë përpara gjithë opinionit publik botëror si një veprim reaksionar e nga pozita e fuqisë së madhe, si veprim që përsërit si në përmbajtje, ashtu dhe në formë, metodat e egra shoviniste të Titos, Hrushovit dhe Brezhnjevit, të cilat dikur edhe Kina i ka pas dënuar.

Komiteti Qëndror i Partisë së Punës së shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare hedhin poshtë përpjekjet që bëhen në notën kineze për të bërë fajtore Shqipërinë, për të akuzuar pa asnjë bazë udhëheqjen shqiptare se gjoja ajo është msomirënjohëse për ndihmën e Kinës dhe se gjoja është përpjekur të sabotojë bashkëpunimin ekonomik e ushtarak midis dy vëndeve.

Për çdo njeri normal është e pabesueshme dhe jashtë logjike që Shqipëria, një vënd i vogël, që lufton kundër rrethimit imperialisto-revizionist e bllokadës së tij, që është i përveshur një pune të gjerë për zhvillimin e shpejtë ekonomik e kulturor të vëndit, që punon pa u lodhur për forcimin e mbrojtjes së Atdheut të vet socialist, të nxitë e të kërkojë vetë prishjen e bashkëpunimit ekonomik me Kinën, të refuzojë kreditë dhe ndihmat e saj, civile dhe ushtarake. Populli shqiptar, Partia dhe qeveria e tij, të frymëzuar nga mësimet e marksizëm-leninizmit e nga parimet e internacionalizmit proletar, kanë luftuar sinqerisht e me konsekuencë për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit vëllazëror e të ndihëms reciproke midis Shqipërisë dhe Kinës:

Ata e kanë çmuar kurdoherë lart ndihmën që Kina i ka dhënë Shqipërisë, duke e konsideruar atë si një ndihmë internacionaliste të popullit kinez, si një ndihmë që i shërbente çështjes së përgjithëshme të revolucionit e të socializmit. Populli shqiptar, Partia dhe Qeveria e tij, ashtu si më parë dhe tani, u përmbahen vlerësimeve që i kanë bërë kësaj ndihme dhe rolit të saj, midis faktorëve të tjerë të jashtëm, për zhvillimin e vëndit tonë. Shqipëria Socialiste, miqsinë e saj me popujt e vëndeve të tjera, kurrë nuk e ka parë si një mjet për të nxjerrë përfitime ekonomike. Në të njtën kohë, ajo nuk i ka lejuar askujt që ndihmën e bashkëpunimit ekonomik, ta llogaritë si një investim për t’i diktuar dhe imponuar vendit pikpamje politike e ideologjike që janë në kundërshtim me marksizëm-leninizmin dhe me interesat e socializmit. R.P.S.SH-së nuk i ka shitur kurë parimet, ajo kurrë nuk ka bërë dhe nuk bën tregti me to.

Kur Partia e Punës e Shqipërisë e mbrojti Partinë Komuniste të Kinës nga sulmi i revizionistëve hrushovianë në mbledhjen e Bukureshtit dhe në atë të Moskës të partive komuniste e punëtore të vitit 1960, ajo këtë e bëri me vetëdije për të mbrojtur parimet e marksizëm-leninizmit dhe jo për të marrë nga Kina disa fabrika dhe disa traktorë. Kur Shqipëria Socialiste për vite me rradhë mbronte të drejtat e Kinës Popullore në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kundër komplotit amerikan, ajo nuk e bënte për interesa materiale, por për të mbrojtur një çështje të drejtë dhe parimore. Kur Partia e Punës së Shqipërisë dhe klasa jonë punëtore mbështetën qëllimet strategjike të revolucionit Kulturor të Kinës, këtë nuk e bënë për të marrë ndonjë kompesim, por për të ndihmuar klasën punëtore kineze, komunistët dhe popullin kinez për ta shpëtuar vëndin nga elementët kapitalistë që kishin uzurpuar pushtetin në Kinë.

Qeveria kineze për të justifikuar prerjen e ndihmave për Shqipërinë, në pamundësi që ta bëjë ndryshe, është kufizuar në “argumente” ekonomike dhe teknikë të praktikës së thjeshtë e të zakonëshme në marrëdhëniet midis dy shteteve. Këtë ju e bëni me qëllim që të fshihni arsyet e vërteta që ju shtynë të ndërrmernit këtë akt armiqësor kundër Shqipërisë Socialiste. Prerja e ndihmave dhe kredive për Shqipërinë nuk mund të arsyetohet me 8 “faktet” që ju paraqitën në notën kineze, se gjoja “zëvëndësministri i Industrisë dhe i Minierave të Shqipërisë…refuzoi konsultimet e mëtejshme…dhe në mnëyrë arrogante u dha fund bisedimeve”: se nga specialistët shqiptarë “nuk u respektuan udhëzimet teknike të specialistëve kinezë” në rafinerinë e përpunimit të thellë të naftës; se projekti kinez në një objekt ushtarak nuk doli me sukses “për shkak të zbulimit të vonuar të zgavrave që rridhnin ujë si rezultat i studimeve gjeologjike të dobta nga ana shqiptare” dhe se pala shqiptare “ndryshoi mendim duke e marrë vetë përsipër punën dhe i dha fund ndihmës kineze për këtë objekt”;se pala shqiptare “krijoi pretekste të ndryshme dhe, në kundërshtim me marrëveshjen, refuzoi të nënshkruante proces-verbalet e vënies në shfrytëzim të objekteve”, se pala shqiptare “papritur, refuzoi të pranonte 25 faturat me një shumë totale afro 100 milionë juanë Renminbi”, se “për arsye të mospërfilljes nga pala shqiptare të këshillave teknike të specialistëve kinezë , në Kombinatin Metalurgjik u formua një ngjitje në furrnaltë” dhe këtë difekt specialistët shqiptarë e zhdukën vetë pa pritur që të vinin specialistë të posaçëm nga Kina; se “ambasadori shqiptar në Kinë refuzoi të pranonte notën kineze të 7 qershorit 1978”.

Baby Boo