Një i mitur është lënduar nga një 76 vjeçar i cili me pushkë ajri ka gjuajtur nga ballkoni i tij, pasi që i ka penguar zhurma e fëmijëve gjatë natës së mërkurës, duke luajtur përpara banesës. Tetovari i moshuar më vonë është arrestuar në stacionin policor.
Njoftimi i policise:
“Në orët e hershme të mëngjesit në SPB Tetovë është arrestuar S.K. (76) për shkak të paraqitjes se mbrëmë rreth orës 22 nga ballkoni i ndërtesës në rrugën “Zhelezniçka” në Tetovë me pushkë ajri ka gjuajtur drejt të miturve të cilët kanë qenë duke luajtur përpara ndërtesës. Ai e ka goditur një të mitur, i cili ka marrë lëndime trupore. S.K. ka thënë se arsye ka qenë zhurma që e kanë bërë të miturit”, informojnë nga SPB Tetovë.
I mituri është dërguar në spitalin e Tetovës, por nuk ka informata për gjendjen e tij shëndetësore. Policia e ka njoftuar prokurorin dhe vazhdon procedura për pastrimin e rastit.