Grafiti që paralajmëron vrasje në Kosovë, sipas Liburn Aliut


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, në një konferencë për media nga zyrat e partisë së tij, ka folur për një grafit, i cili është bërë në objektin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, e në të cilin shihet shishja e mjaltës me të cilën dyshohet se aktivisti i tyre tashmë i ndjerë, Astrit Dehari, kishte mbytur veten në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Megjithatë, sipas deputetit Aliu, një grafit i tillë mund të jetë një mesazh se dikush po planifikon edhe vrasje të reja.

“Ky grafit në këtë kohë dëshmon dy gjëra. Dëshmon pranimin e vrasjes së Astritit, dhe mbase mund të jetë kërcënim për vrasje të tjera që dikush mund t’i ketë në mendje”, ka thënë Liburn Aliu.

Ai thotë se këto grafite kërcënuese po vijnë në prag të arritjes së një marrëveshje me Serbinë.

“Ky grafit dëshmon se ajo ka qenë pikërisht arma e vrasjes. Ky grafit paralajmëron vrasje të reja, ndaj atyre që u prishin planet e atyre që po e mbajnë këtë vend të ngulfatur politikisht e ekonomikisht”, ka thënë deputeti i VV-së.

Ai ka kujtuar edhe një deklaratë në Kuvendin e Kosovës ku ishte thënë se “ruajuni se po vetëvriteni”.

Aliu ka ftuar Policinë e Kosovës që të hetojë shkrimin e atyre grafiteve, pasi Lëvizja Vetëvendosje i konsideron si kërcënime. /GazetaExpress/

Baby Boo