Visar Ymeri:Qeveria të kërkojë llogari nga Maqedonia e Mali i Zi që abstenuan për Kosovën në ENTSO


Nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri ka kërkuar reagimin e qeverisë, pas abstenimit të Maqedonisë Veriore, për anëtarësimin e Kosovës në ENTSO.

“Maqedonia veriore, sikur Mali i Zi, paskan abstenuar në votimin për anëtarësimin e Kosovës (KOSTT) në ENTSO-e. Kjo e fundit është rrjeti i operatorëve të sistemeve të transmisionit të energjisë elektrike për vendet e Evropës. Pranimi i Kosovës në këtë rrjet do të nënkuptonte pavarësim formal e real të sistemit energjetik të Kosovës nga ai i Serbisë. Përveç tjerash ne humbim miliona euro në pagesa, por edhe nga mos-inkasimi i mjeteve për tranzitin e energjisë elektrike nëpër rrjetin e KOSTT”, thotë Ymeri.

Ymeri ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet menjëherë të kërkojë përgjigje e përgjegjësi zyrtare nga këto dy shtete fqinje për këtë abstenim.

“Qeveria e Kosovës duhet menjëherë të kërkojë përgjigje e përgjegjësi zyrtare nga këto dy shtete fqinje për këtë abstenim. Kjo nuk bën të kalojë me kaq. Nuk duhet të sillemi si inferiorë. Kosova ka treguar një gatishmëri të madhe të ndërtojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të dyja, edhe Maqedoninë edhe Malin e Zi. Ky veprim i tyre i fundit nuk është akt i fqinjësisë së mirë. Nuk mund të mbash pozicion që Kosova është edhe e pavarur edhe pjesë e Serbisë (siç pretendon Serbia dhe siç e arsyeton ajo fushatën e egër për bllokim të Kosovës në secilën fushë). Këtë pozicion të dyfishtë as nuk e pranojmë e as nuk mundemi ta tolerojmë”, ka theksuar ai.

“Marrëveshja përndryshe shumë e dëmshme me Serbinë për energjinë e kishte vetëm një të mirë: anëtarësimin e KOSTT në ENTSO-e. Tash e sa vjet as kjo nuk po përmbushet.

Kjo flet shumë për këtë lloj dialogu me Serbinë. Qartazi, Serbia nuk po joshet me koncesione. Prandaj duhet ta shtojmë kushtëzimin. Nuk ka normalizim pa njohje. Dhe nuk mund te ketë kurrfarë marrëveshje pa njohje”, përfundoi Ymeri.

Baby Boo