Ekspertët: Marrëveshja hap perspektivën evropiane


Në prag të referendumit të 30 shtatorit profesori, Temellko Ristevski vlerëson se Marrëveshja me Greqinë nuk cenon identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase. Sipas tij Maqedonia nuk po ndryshon emrin, por vetëm po shton mbiemrin.

A e ndryshuat ju zonja të nderuara identitetin tuaj atëherë kur u martuat dhe mbiemrit tuaj të vajzërisë ia shtuat mbiemrin e bashkëshortit, ose thjeshtë hoqët dorë nga mbiemri juaj i vajzërisë dhe e morët mbiemrin e bashkëshortit? Nuk e ndryshuat apo jo? Mbetët ato që ishit. Kështu edhe shteti, Republika e Maqedonisë sonë nuk do ta ndryshojë identitetin me atë që emrit të deritanishëm Republika e Maqedonisë do t’ia shtojë një mbiemër- tha Temelko Ristevski, profesor universitar.

Bllagoja Markovski nga Forumi Ballkanik për Siguri vlerëson se Marrëveshja për emrin dhe vendimi për referendum e ka ndarë shoqërinë. Sipas Markovskit, vendit deri tani të izoluar, kjo marrëveshje ia hap rrugën e integrimit. Ndërkaq Mirosllav Stojanovski nga Klubi i gjeneralëve tha se siguria që vendi do të fitojë me anëtarësimin në NATO është e pakompenzueshme.

Të hapet rruga e Maqedonisë për anëtarësim të plotë në BE dhe në NATO, përmes marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO dhe fillimin e procesit të verifikimit për anëtarësim në BE, duhet të jemi të sinqertë me vetveten dhe të pranojmë se nuk është pak për një shtet si Maqedonia, që ishte në derë të pritjes para BE-së që nga viti 2005 kur e mori statusin e vendit kandidat dhe 18 vjet vend kandidat për anëtarësim në NATO- pohoi Bllagoja Markovski, Forumi Ballkanik për Siguri.

Ne gjithsesi se do të kemi harxhime, sepse gjithçka që bëjmë e bëjmë për vete. Megjithatë ato përafërsisht 1,4 milion dollarë në nivel vjetor që Republika e Maqedonisë do t’i jep në fondin e përbashkët të NATO-s janë shumë më pak krahasuar me garancitë për sigurinë. Siguria nuk ka çmim- deklaroi Mirosllav Stojanovski, Klubi i gjeneralëve .

Nga ana tjetër, profesori, Jove Kekenovski theksoi se për shkak të rëndësisë së çështjes së emrit, referendumi duhej të ishte i obligueshëm, njofton Alsat M.

Tani ju keni referendum konsultativ dhe vërejtja ime është: Çfarë do të konsultohen qytetarët kur Marrëveshja është nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvend?! Unë nuk njoh dhe mendoj se as ju nuk njihni konsultim të mëvonshëm për ndonjë çështje që veçmë ka përfunduar- shtoi Jove Kekenovski, Profesor.

Në debatin me temë “Maqedonia para vendimit të ri historik” Kekenovski nënvizoi një sërë parregullsish në Marrëveshjen e Prespës, duke theksuar ndër të tjera se ministri i Jashtëm nuk kishte kompetencë ta nënshkruante dokumentin dhe se Kuvendi nuk duhej ta miratonte të njëjtën në procedurë të përshpejtuar./PC

Baby Boo