Mediat amerikane zbulojnë detaje nga vrasja e shqiptarit Grei Frashëri.
Mësohet se një person është arrestuar si autor i ngjarjes.
Në pranga ka përfunduar një 35 vjeçar i quajtur Anthony Valenti, i cili dyshohet se ka qëlluar disa herë në drejtim të 23 vjeçarit shqiptar të premten e 7 shtatorit.
Mediat amerikane shkruajnë se asnjë nga të shtënat e 35 vjeçarit nuk e goditi Frashërin, por ishte bashkëpunëtori i tij, ai që e qëlloi me thikë në pjesën e qafës duke i shkaktuar vdekjen, në atë që policia beson se ishte një konfrontim për çështje që lidhen me marijuanën.
Valenti, i cili jeton në Bensonhurst, ka 10 arrestime të mëparshme, përfshirë për drogë dhe drejtim të mjetit në gjendje të dehur, tha një burim policor.