Gashi: Jemi marrë vesh për resorse të rëndësishme në MPB, në Qeverinë e ardhshme


Kreu i Alternativës, pjesë e koalicionit VLEN, Afrim Gashi ka zbuluar sot kanë rënë dakord për resorse të rëndësishëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Qeverinë e ardhshme.

“Si të vetmit konkurrentë në kampusin politik shqiptar dhe natyrisht fitues të këtij blloku, jemi edhe përfaqësuesit e vetëm dhe legjitim të shqiptarëve në këto zgjedhje. Rrjedhimisht, kjo na detyron të përfaqësojmë shqiptarët edhe në qeverinë e ardhshme, ku ndër të tjera do të menaxhojmë institucione të rëndësishme nga sektori i punëve të brendshme, të cilat janë përgjegjëse për sanksionimin e krimit dhe korrupsionit, të luftojmë fuqishëm dhe drejtpërdrejt kundër krimit dhe korrupsionit të shumanshëm dhe të kahershëm”, tha Gashi.

Ai tha se koalicioni VLEN është konsistent me qëndrimin për miratimin e ndryshimeve kushtetuese brenda një afati të caktuar, si dhe që presidenti i shtetit të zgjidhet në Kuvend.

Koalicioni VLEN, siç ka vlerësuar Gashi, është garanci që në qeverinë e ardhshme do të miratohen ndryshimet kushtetuese.