Shtëpia e re e Havzi Nelës


Nga Sadik Bejko

Më 10 gusht 2018, në fshatin Kollovoz të Kukësit, në 30-vjetorin e ekzekutimit me varje në litar, u përurua ringritja e shtëpisë së Havzi Nelës. Kishin ardhur vendas, shkrimtarë dhe të tjerë të ftuar nga rrethet, nga Tirana.

Pllakën përkujtimore të shtëpisë e zbuluan Kryetari Bashkisë së Kukësit dhe studenti Vilson Blloshmi, nipi i poetit Vilson Blloshmi, të pushkatuar më 1977.

Shtëpia u ringrit me shpenzimet e Bashkisë së Kukësit. Reshep Shahu dhe Izet Duraku kishin përgatitur një numur special të revistës “Illëz” dhe të librit me tekste të shkrimtarëve për Havzi Nelën.

Në krahë, midis shumë të tjerëve, kisha mikun tim, Prof. Shefqet Hoxhën. Më 1993 bashkë me Pjetër Arbnorin ata erdhën me helikopter këtu për të varrosur Hazi Nelën, në vendlindjen e tij.

Edhe sot ishte e vështirë të shkoje në Kollovoz.

Kur më dhanë fjalën, falënderova Bashkinë e Kukësit që e bëri Havzi Nelën me çati mbi krye. E bënë prapë me shtëpi, të varurin në litar, poetin, të përndjekurin me 18 vjet burg, malësorin Havzi Nela.

Në mendësinë shqiptare shtëpia është simboli më kryesor i ekzistencës. Edhe sot pyetet, : a ka shtëpi? Thuhet : Shtëpi e mirë, shtëpi e nderit, shtëpi bujare, shtëpi ku pihet kafja… shtëpi pushke… shtëpi, e ëmbla shtëpi… shtëpi o bukë e hi, m’u bëftë varri si ti…

Gratë labe e urojnë shoqa-shoqen me fjalët: Të rruatë binaja. Të të rrojë shtëpia, që nënkupton të të rrojë i zoti i shtëpisë, burri, rreth të cilit mblidheshin fëmijtë, gruaja, toka, gjëja, pasuria e familjes.

Shteti i diktaturës kishte një mëri të madhe me shtëpitë e atyre që i quante armiq. Disa i rrafshonte me themel, disa qëllimshëm i rrënonte, me njerëzit e vet i kthente në gërmadha, u vidhte dhe gurët.

M’u kujtua poezia “Kur në dritare rri me mall” e poetit të pushkatuar Genc Leka, botuar dhe te revista “Illëz”. Kur u arratis i ati i tij, shtëpinë e madhe të fëmijërisë, shtëpinë me dy kate, të armikut Bardho Leka e rrëzuan e rrafsh me tokën. Familja u shpërnda, u internua. Mbas vitesh kur u mblodhën prapë, një i afërm u dha për banesë kasollen e tij. Përballë kishte gurët e shtëpisë së babait. Genci ka shkruar:

Kur në dritare rri me mall

Me lulet e saksisë

Më shfaqen si vegim përballë

gërmaddhat e shtëpisë.

Pastaj më ngjan sikur bën zë

E drojtur fëminia,

Që fle mes gurësh përgjithënjë

me ëndrrat e mia.

Të gjithë e kemi me vete një shtëpi të fëmijërisë. Ajo ka qenë shtëpia e lumturisë sonë. Shtëpia e Parajsës. Me kohë atë e humbasim. Ajo shtëpi mbase është diku. Është këtu është atje…

Havzi Nelës sot ia kthyet shtëpinë e lumturisë së tij.

Ju të Bashkisë Kukës keni bërë një vepër të madhe.Pak a shumë, shkurt, këto fjalët më lart thashë. Kisha dhe të tjera. I kisha në mendje po nuk i thashë. Ja, e çmova shumë atë gjestin e gruas së Havzi Nelës që u përgjunj dhe puthi pragun e shtëpisë. Doja të thosha dhe që sonte kur të erret, shpirti i Havzi Nelës do të shkojë të futet në shtëpinë e tij të. Mbase do të flejë atje.

Nuk i thashë se do të dukesha patetik. Por kaq herë i mendova.

Baby Boo