Gazetari Arsen Rusta i ndodhur në vendin ku u arrestua autori i masakrës së 8-të në Resulaj të Selenicës raporton për Report Tv se autori është pikasur nga policia në orën 5 të mëngjesit të sotëm, pikërisht në rrugën që shihni në video.
Zykaj është parë nga një efektiv i RENEA-s, i cili monitoronte zonën me dylbi. Ai ka kërkuar përforcime pasi autori ishte i armatosur. Pak minuta më vonë i kanë bërë thirrje që të dorëzohej. Autori ka hedhur armën dhe ka tentuar të largohet me vrap. Forcat RENEA i janë lëshuar nga pas duke e arrestuar.
Fjalët e para që ka thënë pasi policia e ka neutralizuar janë të pakta. Ai ka pranuar krimin dhe ka kërkuar avokat. “Unë i vrava, me gjeni avokat”, mësohet të ketë thënë Ritvan Zykaj.
Masaka me kallashnikov ndodhi ditën e djeshme rreth orës 18:00 në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë pas sherri për pulat mes dy familjeve të të njëjtit fis dhe kushërinj me njëri-tjetrin. Një nga gratë e familjes, teksa ndodheshin në një drekë familjare e ka akuzuar se i kishte vjedhur pulat dhe kaq ka mjaftuar që i riu të ngrihet, të marrë armën. Ai qëlloi mbi tetë persona, anëtarë të një familje. Dy nga viktimat janë fëmijë të moshës 15 dhe 8-vjeç si dhe tre gra.
Emrat viktimave jane: Demir Zykaj 76 vjeç (kryefamiljar), Perri Zykaj 76-vjeç (bashkëshorte) Besim Zykaj 45-vjeç (bir), Azem Zykaj 49 vjeç (bir) Vasilika Zykaj 40 vjeç (nuse), Afërdita Zykaj 47-vjeç (nuse) Sara Zykaj 15 vjeçe (mbesë) dhe Ledion Zykaj 8 vjeç (nip).