Departamenti Amerikan i Shtetit u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta shmangin retorikën negative dhe të punojnë së bashku për një marrëveshje që siguron qëndrueshmëri për të dyja vendet dhe rajonin.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se “politika e kësaj administrate është e qëndrueshme: thelbi i çdo marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të dyja palët dhe Bashkimin Evropian si lehtësues. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe nuk krijon paqëndrueshmëri në asnjërin vend apo në rajon. Kjo do të kërkojë largpamësi dhe elasticitet nga të dyja anët. Ne inkurajojmë palët që të marrin pronësinë e plotë të procesit, të ulin retorikën negative dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive”, thuhet në deklaratën për Zërin e Amerikës.
Ditëve të fundit janë shtuar idetë e hedhura nga të dyja palët për ndarjen tokësore të Kosovës, shkëmbimin e territoreve apo “korrigjimin e kufirit” në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Bisedimet pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës që ka hyrë në vitin e 11-të të pavarësisë dhe Serbisë që vazhdon ta kundërshtojë atë.
Marrëveshja është kusht për të dyja palët që të përparojnë në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.