28 organizata dhe parti politike kanë vendosur që të punojnë kundër referendumit dhe anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Janë po këto persona të afërt me VMRO-DPMNE-në të OJQ-ve që nxitën ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë ku i sulmuan deputetët dhe kryeministrin.
Për disa ka dyshime se paguhen nga Rusia.
“Sot është një ditë e madhe për Maqedoninë pasi po bëhet bashkim i gjithë maqedonasve kundër referendumit dhe për bojkotim…Kjo që po ndodhë tani është sfida më e madhe e vendit tonë. Duan të na e shkatërrojmë emrin, gjuhën, kulturën e identitetin. Me një fjalë duan të na fshijnë nga harta e popujve të botës. Prandaj jemi mbledhur sot këtu, që mos tua lejojmë këtë gjë” tha Janko Baçev nga “Maqedonia e Vetme”.
Madje Baçev është ai që kërkonte referendum, kur ishte i bindur se i njëjti nuk do të ndodhë.
Këto organizata dhe parti politike do të formojnë një shtab i cili do të vijojë të zhvillojë propagandë kundër daljes në referendum dhe për bojkot, duke u thirrur në interesat kombëtare që këto organizime pohojnë se janë kërcënuar.
Edhe pse ky grup bën thirrje për bojkot dhe siguron se nëse Maqedonia e ndryshon emrin humb gjithçka, nga Qeveria thonë se qytetarët e dinë rëndësinë e këtij momenti historik dhe do të votojnë për të ardhmen e Maqedonisë.