Në Maqedoni lirisht mund të punoni me “kriptovaluta”


Policia e Kosovës dje ka zhvilluar aksion kundër aparateve apo pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave. E kjo po ndodh për arsye të krizës energjetike, me çka sipas të dhënave aparatet që prodhojnë këto kriptovaluta harxhojnë rrymë në mënyrë të pa kontrolluar.

“Si rezultat i hetimeve është arritur të lokalizohet dhe identifikohet lokacioni, me ç’rast bastisja është realizuar në një banesë në rrugën ‘Fan Noli’ në Mitrovicën e Jugut. Gjatë bastisjes për veprimtari të kundërligjshme janë gjetur dhe sekuestruar 67 aparate të lidhura me pajisje elektrike dhe internet që dyshohen se përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave”, thonë nga Policia e Kosovës.

E për dallim nga Kosova, para disa javësh kur gazetarët në Maqedoninë e Veriut tek qendra tregtare gjetën qindra pajisje për prodhimin e kriptovalutave, Policia e Maqedonisë as nuk u mor me rastin për ta hetuar por doli me kumtesë se nuk është vjedhur rryma dhe se nuk ka elemente për vepër të dënueshme sipas Kodit Penal, duke thënë se as nuk ka pasur aoparate për prodhimin e kriptoalutave.

“Janë zhvilluar biseda me personat përgjegjës të QTQ-së dhe me përfaqësues të EVN-së, ku është konstatuar se për matësit që janë në pronësi private nuk është konstatuar vjedhje e energjisë elektrike, pas së cilës është konstatuar se nuk ka elemente për vepër e dënueshme sipas Kodit Penal”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme në RMV.

Menjëherë atë mbrëmje, pajisjet për prodhimin e kriptovalutave nga Qendra Tregtare e Shkupit u tërhoqën nga pronarët që i kishin vendosur, e policia as që i ndoqi.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, kohë më parë theksoi se shfrytëzimi i mjeteve virtuale me vlerë të njohura si “kriptovaluta” do të rregullohet me ligj. Aktualisht, Ministria e Financave, së bashku me Njësinë e inteligjencës financiare, si dhe rregullatorët dhe supervizorët financiarë po punojnë për t’i përcaktuar të gjitha aspektet që dalin nga ky fenomen i ri.

Baby Boo