Turisti kosovar shpëtohet nga roja i plazhit në Vlorë: Kishte probleme me zemrën


Ministria e Turizmit të Shqipërisë njofton se një prej vrojtuesve i ka dhënë ndihmën e parë, duke shmangur tragjedinë për një turist kosovar, 40 vjeçar, i cili po rrezikonte të mbytej.

Ai po lahej në një plazh privat në Lungomare, Vlorë, por valët e trazuara kanë bërë që të humbte kontrollin.

Personi është parë nga vrojtuesi, i cili i ka shpëtuar jetën dhe ka lajmëruar urgjencën, makina e së cilës ka ardhur dhe e ka marrë brenda pak minutash.

“Ndërhyra në kohën e duhur dhe veprova sipas rregullave të një vrojtuesi plazhi. Isha te kulla e vrojtimit mora ‘beywatching’ shkova me vrap te i rrezikuari. Personi po tundte duart, po mbytej, po tregonte qartë që ishte në rrezik, pasi shkova i zgjata kamerdaren, e kapi dhe e tërhoqa. E ngrita aty erdhi dhe shoku, i cili punon me çadrat në plazh, erdhi më ndihmoi e kapëm të dy. Pasi e nxorëm nuk ishte në gjendje shumë të mirë, tensionin e kishte shumë të lartë, pulsin gjithashtu, kishte problem me zemrën, të rrahura të forta. Ishte rreth 40 vjeç, kosovar”, tha vrojtuesi Andrea Cenodemaj.

Një plazhiste që vazhdon pushimet e saj tregoi rastin duke thënë se, “kam 10 ditë që pushoj në këtë plazh. Gjendja u normalizua për 10 minuta, djaloshi jo vetëm shpëtoi jetën e personit po lajmëroi dhe ambulancën e cila erdhi për 3 minuta”.

Siguria në plazhe është një temë e nxehtë e kësaj vere dhe Ministria e Turizmit është investuar për përmirësimin e këtij kriteri, duke bashkëpunuar me subjektet private dhe duke kërkuar zbatim korrekt të ligjit nga pushteti vendor që jep lejet për ushtrim aktiviteti për operatorët, shkruan Shqip.

Vetëm në plazhin e Vlorës janë shpëtuar 5 persona gjatë dy muajve të sezonit veror, ndërsa vrojtuesit po trajnohen dhe licencohen për dhënien e ndihmës së parë.

Baby Boo