Filipçe hesht për dorëheqjet e drejtorëve Besimi dhe Etemi


Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe nuk tregon nëse do t’i pranojë ose jo dorëheqjet e ofruara të dy drejtorëve të Spitalit të Tetovës Florin Besimi e Artan Etemi. Mediat për dy ditë rresht nuk marrin përgjigje për këtë çështje nga ministria e shëndetësisë.

Për gazetaren Mira Kostiq, me vendimin e kryeministrit për të mos i pranuar dorëheqjet e Filipçes e Hasanit, krijon hapësirë që kjo të bëhet praktikë edhe në të ardhmen. Ajo thotë se çdo drejtues spitali duhet ta dijë se çfarë u ndodh brenda objektit, andaj dorëheqja nuk duhet as të diskutohet.

“Një e dimë, dorëheqje dorëzohet ose nuk dorëzohet si shprehje e një akti moral ose si përgjegjësi morale dhe për këtë nuk ka çfarë të diskutohet. Megjithatë tek ne mbet shprehi që dorëheqje të ofrohen dhe për tragjedi shumë më të mëdha që kanë ndodhur dhe të mbesë vetëm në atë që vetëm të ofrohen dorëheqjet.”- tha Mira Kostiq, ish-gazetare.

Në raportin e Krim teknikës së MPB-së të dorëzuar dje në prokurori, thuhet se “zjarri në spitalin modular në Tetovë ku humbën jetën 14 persona me shumë mundësi ka shpërthyer nga një kabllo zgjatues. Në të ishin lidhur defibrilatori, një karikues telefoni celular dhe një pajisje tjetër”. Sipas raportit nxehja e kabllos ka shkaktuar ndezjen në kutinë lidhëse të kabllos zgjatuese. Ndërsa zjarri është përhapur për një periudhë të shkurtër në të gjithë objektin për shkak të dëmtimi të instalimit të oksigjenit gjatë zjarrit. Por edhe për shkak se në hapësirën e nën kulmit të objektit nuk ka ndarje ndërmjet dhomave dhe korridorit, që do ta ngadalësonin përhapjen e zjarrit.

Ky është raporti i parë që ka marrë prokuroria e Tetovës. Priten edhe raportet nga Instituti i Ndërtimit dhe ekspertiza e ekspertëve gjermanë nga Mjekësia Ligjore Federale. Natën e 8 shtatorit, zjarri në spitalin modular të Tetovës në më pak se pesë minuta shkatërroi të tërin spitalin e improvizuar ku humbën jetën 14 persona.

Baby Boo