Komunat njihen me masat për zhvillim rural


Nga Ministria e Bujqësisë theksojnë se deri në fund të muajit gusht, komunat do të mund të konkurrojnë për tre masa të dedikuara për ruajtjen e vlerave natyrore dhe kulturore në viset rurale
Komuna e Likovës ishte e para që të dielën u vizitua nga përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe dikastereve të tjera me qëllim të njoftohen zyrtarët e vetëqeverisjes lokale me mundësitë e shfrytëzimit të mjeteve IPARD, si dhe të ofrohet mbështetje për zbatimin e projekteve të tjera.

Vizita të ngjashme do të pasojnë edhe në komunat e tjera në Maqedoninë perëndimore. Sipas sekretarit shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Nefruz Çeliku, qëllimi i këtyre takimeve është që komunat të njihen nga afër me masat e ndryshme të Programit për zhvillim rural të dedikuara për zgjidhjen e problemeve të infrastrukturës komunale dhe rrugore në komunat rurale, kohëzgjatjen e afateve për aplikim, kushtet e aplikimit e kështu me radhë.

“Këto takime janë mjaft të dobishme për shkak se mundësojnë që nga afër të qartësohen të gjitha dilemat eventuale se si komunat të arrijnë më lehtë deri tek këto mjet si dhe t’u ofrohet atyre ndihmesë gjatë përgatitje së aplikimeve etj. Gjithashtu, ato kanë një vlerë të madhe, për shkak se diskutohen në teren edhe problemet e ndryshme të fermerëve, si dhe ofrojnë mundësinë që Ministria e Bujqësisë të ndihmojë bujqit në zgjidhjen e halleve dhe problemeve të tyre”, tha për gazetën KOHA, Çeliku.

Ndryshe, nga Ministria e Bujqësisë theksojnë se deri në fund të muajit gusht, komunat do të mund të konkurrojnë për tre masa të dedikuara për ruajtjen e vlerave natyrore dhe kulturore në viset rurale. Aplikuesit me masën 321 për përmirësimin cilësisë së jetesës në mjediset rurale do të mund të shfrytëzojnë mjetet për ndërtimin e kanalizimeve, lidhjen e rrugës me rrugën lokale apo rajonale në gjatësi prej 5 deri 7 kilometra, ndërtimin e ujësjellësit dhe kanalizimeve, ndërtimin dhe rinovimin e qendrave rinore kulturore, tregut të kafshëve etj.

Me masën 322 – Rinovimi dhe zhvillimi i fshatrave, aplikuesit do të mund të fitojnë mjete për rikonstruimin apo ndërtimin e planeve të detajuara urbanistike, rikonstruimin apo ndërtimin e shesheve. Me masën 323 – Ruajtje dhe avancim i vlerave tradicionale në rajonet rurale , aplikuesit do të mund të ndërtojnë rrugë për lidhjen me objektet kulturore apo objektet që kanë rëndësi jetike për qytetarët, si dhe lidhjen infrastrukturore me objektet e trashëgimisë kulturore, rregullimin e vendeve për piknik, gjelbërimin e hapësirave përreth liqeve natyrore apo rrugëve magjistrale në mjediset rurale. Një komunë mund të fitojë më së shumti deri në 55 milionë denarë për tre masat e ndryshme të zhvillimit rural. (koha.mk)

Baby Boo