Diaspora nuk evidentohet, por regjistrohet! Partitë kundër dëshirës së Mickoskit që mërgata të mos hyjë në përqindje


Kreu i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, kërkon që diaspora vetëm të evidentohet, e jo të llogaritet si përqindje e popullsisë së përgjithshme të regjistruar. Nëse ndodh kjo, ai mbrëmë në Click Plus tha se nuk do ta pranojnë rezultatin e regjistrimit.

“Rezultate të tilla ne nuk do t’i njohim dhe nuk do t’i pranojmë. Dihet se çfarë do të thotë sipas EUROSTAT dhe metodologjisë së pranuar, regjistrim i popullsisë dhe amvisërive. Ky është evidentim i diasporës dhe do ta trajtojmë si evidentim! Dihet saktë se çfarë do të thotë evidentim i diasporës, saktë dihet se çfarë do të thotë regjistrim i popullatës rezidente”, tha Hristijan Mickoski – kryetar u VMRO-DPMNE-së.

Kryeministri Zoran Zaev thotë të kundërtën. Të gjithë do të regjistrohen, rezidentë dhe jorezidentë!
“Diaspora është populli ynë, sot është jashtë, nesër do të jetë këtu. Ndoshta nesër dikush nga ne do të jetë jashtë, ndërsa diaspora jonë do të jetë këtu. Ai është populli ynë. Ne e regjistrojmë gjithë popullin tonë, pa dallim nëse është në vend apo jashtë”, u shpreh kryeministri Zoran Zaev.
Arbër Ademi nga B DI thotë se nuk janë të rëndësishme deklaratat që thuhen lartë e poshtë, por ajo që thuhet në ligj.

“Dhe në ligj flitet për regjistrim të mërgatës, diasporës sonë, për vetëregjistrim të diasporës tonë, andaj edhe me ndryshimet që sot janë në seancë plenare, rezultatet e deritanishme të vetëregjistrimit nga mërgata do të njihen, madje do të vazhdohet afati për vetëregjistrim, që të mos përfundojë tani, por të vazhdojë deri më 30 shtator të këtij viti”, theksoi Arbër Ademi nga BDI.
Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa thotë se nuk e kupton se kujt i drejtohen deklaratat, siç i quan, tendencioze të Hristijan Mickoskit, sepse sipas Hoxhës, terminologjitë për të krijuar huti nuk janë reale.

“Një gjë e garantojmë se çdo shqiptar i cili është i regjistruar nga diaspora apo që do të regjistrohet në vendlindje, do të jetë në numrin e përgjithshëm të popullatës. Ne nuk mund të fshijmë nga popullata shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët për momentin kur ndodh regjistrimi nuk ndodhen n ë vendlindjen e tyre”, theksoi Arjanit Hoxha – Sekretar Gjeneral i Lëvizjes Besa.
Halil Snopçe nga koalicioni opozitar Aleanca-Alternativa hedh dyshime se mes Zaevit dhe Mickoskit mund të ketë pasur marrëveshje për ligj të ri para shtatorit, ndërsa tani po bëhet vetëm prolongim afatshkurtër.

“Mbase ata kanë pasur një farë marrëveshjeje, por edhe po të ketë tentativë, fatmirësisht ligji për regjistrim sillet edhe me mekanizmin e Badenterit. Jo rastësisht ne ftojmë edhe deputetët e BDI-së që edhe në rastin konkret të zbatojmë Badenterin, për shkak se ata mund të kenë çfarëdo qoftë marrëveshjeje, po marrëveshja e tyre nuk kalon nëse ne si palë shqiptare qëndrojnë konsekuent deklaratave që kemi dhënë”, shtoi Halil Snopçe nga koalicioni ASH-AAA.

Kërkuam qëndrim dhe interpretim të ligjit nga drejtori i Entit për Statistika, Apostoill Simovski, por na tha se nuk do të japë deklarata para se Kuvendi të bëjë ndryshimet ligjore për shtyrje të regjistrimit. Për dallim prej tij, zëvendësdrejtori Ilmi Selami, ka reaguar menjëherë ndaj deklaratës së Mickoskit, duke thënë se ligji e thotë qartë se regjistrohen si popullata brenda shtetit, po ashtu edhe ajo jashtë në diasporë. “Këto dy grupe të popullsisë së regjistruar e përbëjnë numrin e përgjithshëm të të regjistruarve”, shkruan Selami. Me ndryshimet e reja ligjore, regjistrimi I rezidentëve pritet të realizohet nga data 5 deri më 30 shtator.

Baby Boo