Merkel: Migracioni element përcaktues për fatin e BE


Kancelarja gjermane, Angela Merkel paralajmëroi sot, përpara samitit të BE-së për këtë çështje që pritet të jetë shumë e vështirë, se me çështjen e migracionit po vihej në lojë e ardhmja e Bashkimit Europian.

‘’Europa ka shumë sfida, por ajo që lidhet me çështjen migratore mund të vendosë fatin e Bashkimit Europian’’, u shpreh ajo në Dhomën e Deputetëve gjermanë duke bërë thirrje për zgjidhje shumëpalëshe dhe jo të njëanshme nga ana e shteteve anëtare.

Kancelarja, e ndodhur nën një presion të fortë politik për këtë çështje në vendin e saj, paralajmëroi për rrezikun që i kanoset Europës deri në humbje të identitet nëse i duhet të zgjedhë për sigurinë e të gjithëve apo secili për vete përballë çështjes migratore, në një moment kur një numër i madh i qeverive të BE-së po shfaqen indiferente për çështjen.

”Ose do të gjejmë një zgjidhje në mënyrë që Afrika dhe, përtej saj, njerëzit të kenë ndjesinë se ne udhëhiqemi nga vlerat dhe mbështetemi tek multilaterizmi dhe jo tek njëanshmëria, përndryshe askush nuk do të besojë në vlerat tona, ato të cilat na kanë bërë kaq të fortë’’, vijoi Merkel.

Merkel shprehu urimet e saj për krijimin e një ‘’koalicioni të vullnetarëve’’ në mesin e 28 shteteve të BE-së për të arritur marrëveshje që do të mundësojnë dërgimin e migrantëve në shtetin e parë, ku ata do të regjistrohen.

‘’Kjo sigurisht nuk është një zgjidhje perfekte, por është një fillim për të kontrolluar lëvizjet e azilkërkuesve brenda BE-së, të cilët nuk kanë të drejtën për të zgjedhur vendin pritës’’, përfundoi ajo.

Baby Boo