Dëmi ekonomik, i shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, mund t’i fusë edhe 400 milionë njerëz në varfëri ekstreme, thuhet në raportin e ri të Kombeve të Bashkuara.
Raporti, i publikuar të premten, paraqet disa skenarë për vlerësimin e ndikimit të koronavirusit në të ardhurat globale.
Në skenarin më të keq – humbje për 20 për qind e të ardhurave për kokë banori – numri i atyre që jetojnë me 1.90 dollar në ditë mund të rritet në më shumë se një miliard.
Për më shumë se 3.7 miliardë njerëz – mbi gjysmën e popullsisë së botës – të ardhurat po ashtu mund të bien nën 5.50 dollarë në ditë.
“Perspektiva për më të varfërit në botë duket e zymtë nëse qeveritë nuk bëjnë më shumë për ta”, tha Andy Sumner, një nga autorët e raportit, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
“Përparimi në zvogëlimin e varfërisë mund të kthehet 20 deri në 30 vjet prapa dhe ta bëjë ëndërr qëllimin e Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund kësaj dukurie”, tha ai.
Miliona njerëz në botë kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë së koronavirusit, e cila ka detyruar mijëra biznese të ndalojnë operimet.
Sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi, ka prekur mbi 7.5 milionë njerëz në botë.
Prej tyre, mbi 3.5 milionë janë shëruar dhe mbi 422,000 kanë vdekur.