Kush është Dervish Sadikaj që gjatë luftës tërhiqte miliona për UÇK’në?


Dervish Sadikaj, quhet personi që Jakup Krasniqi thotë se i ka tërhequr 3 milionë marka që Qeveria e Bukoshit i kishte dërguar për Shtabin e UÇK’së gjatë luftës. Por, kush është Dervish Sadikaj? Me gjasë, askush nuk po e di, as Jakup Krasniqi e as shefi i dikurshëm i Shtabit të UÇK’së, Bislim Zyrapi.

Ideja e ekzistencës së fondeve gjatë kohës së luftës në Kosovë, qoftë fondi 3% e qoftë ai “Vendlindja thërret”, ishte që të shfrytëzohen si fonde për lirinë e vendit.

Kohëve të fundit, janë zhvilluar debate të ashpra për luftën ku doli në pah rivaliteti i akterëve që kanë qenë personazhe të rëndësishme gjatë asaj kohe. Por, nuk munguan as debatet për milionat dhe kah shkuan ato.

Deputeti i LDK’së Anton Quni, kishte hedhur akuza ndaj Xhavit Halitit, duke thënë se ka marrë rreth 8 milionë marka nga koloneli Ahmet Krasniqi gjatë kohës së luftës.

Por, një ditë më pas, Xhavit Haliti nuk i pranoi ato akuza duke thënë se Quni nuk ka fakte, megjithëse pranoi se kishte marrë para prej Ahmet Krasniqit, por nuk tregoi se sa milionë.

“As që na ka shku mendja që dikush po luan me të hollat e luftës”. Kështu ka thënë të enjten, ish-zëdhënës i UÇK’së, Jakup Krasniqi në T7.

Atëkohë, Shefi i Shtabit të UÇK’së, Bislim Zyrapi dhe vetë Jakup Krasniqi i kishin kërkuar Qeverisë Bukoshi 20 milionë marka, si ndihmë për luftën. Por, çka ka ndodhur me ato para, a janë dhënë, apo nuk janë dhënë nga Qeveria, as vetë iniciatori i kësaj kërkese nuk e di edhe tash pas 20 viteve, shkruan Gazeta Express.

Të enjten në emisionin “Pressing”, ish-kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se përmes një letre e ka kuptuar se njëfarë Dervish Sadikaj i ka tërhequr paratë, rreth 3 milionë marka të atëhershme.

“Unë nuk e kam njohur, ai nuk ka qenë nga Shtabi, por ka qenë njëri nga ata që i ka ndihmu UÇK’së nga Shqipëria”, tha Krasniqi.

I pyetur për lidhjen e Xhavit Halitit dhe këtij Dervish Sadikajt, Krasniqi përmendi se Haliti kishte pranuar se ka marrë një shumë të hollash, por jo shumën që Shtabi i UÇK’së e ka kërkuar nga Qeveria Bukoshi.

“Ne i kemi kërku 20 milionë, por na u janë dhënë 3 milionë”, tha Krasniqi.

Baby Boo