900 pronarë, kompensimi për tokat e zëna, pas aplikimit


Pas vendimit për kompensimin e pronarëve për tokat e zëna, nga e hëna nis faza e aplikimit. Të dhënat që duhet të plotësohen për të përfituar nga fondi 74 milionë lekë. Kosto 2000 lekë për aplikimin

Nga dita e hënë, 900 pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje, iu lind e drejta e kompensimit në Agjencinë e Trajtimit të Pronave. Pas vendimit të Këshillit të Ministrave këtë të mërkurë, për emrat që përfitojnë, përpos dosjes me 6 dokumente që duhet të plotësojnë, Agjencia ka publikuar edhe formularin tip, i detyrueshëm për t’u plotësuar nga çdo subjekt, e për të cilin është vendosur një detyrim pagese prej 2000 lekësh. “Shekulli” publikon modelin e këtij formulari, ndërsa subjekti direkt apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë Agjencisë së Pronave në Tiranë, kërkesën tip që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave. Në listën e dokumenteve është dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil.

Kërkesat

Procesi i regjistrimit apo pranimit të kërkesave për kompensim nis nga kjo e hënë dhe me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të ATP-së ngrihet grupi i punës për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale dhe shpërndarjen e fondit përkatës. Grupi i punës, brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për kompensimin e pronës, kryen verifikimet e duhura. Drejtori i Përgjithshëm i ATP-së, brenda 30 ditëve nga data e përfundimit të procesit të verifikimit nga grupi i punës, nxjerr vendimin me emrat e subjekteve që përfitojnë nga kompensimi dhe urdhëron publikimin e listës së subjekteve që kompensohen. Gjithashtu, ai njofton edhe aplikantët që nuk përfshihen në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mos përfshirjes.

Procedura

Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë ATP-së Tiranë kërkesën tip që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave. Në listën e dokumenteve është dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Sipas ligjit për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi. Një tjetër dokument është prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Berat, Ura Vajgurore, Kuçovë, Dibër, Elbasan, Korçë, Pogradec, Lushnjë, Shkodër, Malësi e Madhe, Lezhë, Vlorë, Sarandë, Tiranë, Fier, Gjirokastër, Kavajë, Tepelenë dhe Durrës, udhëzohen të regjistrojnë, kalimin e së drejtës së pronësisë së parcelave ndërtimore dhe hipotekën ligjore mbi to, në përputhje me përcaktimet e pikave 15 dhe 16, të vendimit nr. 1095, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, si dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”.

Baby Boo