400 politikanë shqiptarë në ‘skaner’ për pastrim parash, ja emrat dhe detajet


Autoritetet shqiptare kanë nisur lëvizjet për goditjen në nivel të lartë. Deri në qershor të vitit 2019 duhet të ketë arrestime “VIP” dhe për këtë arsye shumë politikanë shqiptarë duket se janë vënë në skaner për pastrim parash. Banka e Shqipërisë u ka shpërndarë të gjitha bankave të niveleve të dyta në vendin tonë një listë me 400 persona, mes të cilëve janë emrat e shumë deputetëve, ministrave, ish-ministrave dhe të afërmeve të tyre. Të gjithë këta persona po survejohen për çdo transaksion bankar që kryejnë, ku në fokus është pastrimi i parave, shkruan sot.al.

Gazeta ka mësuar se të gjitha janë mbajtur në vëzhgim dhe po u kërkohet llogari për çdo transfertë dhe depozitim të kryer nga ana e tyre. Lista është e gjatë, por mësohet se pjesë e saj janë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, familjarë dhe të afërm të tyre. Një gjë të tillë e ka konfirmuar ditën e djeshme vetë Monika Kryemadhi gjatë një interviste televizive. Ajo deklaroi se kjo listë ka dalë nga Kryeministria. “Ka një vendim qeverie që njofton Bankën e Shqipërisë dhe Banka e Shqipërisë njofton gjithë bankat e nivelit të dytë ku është një listë me 400 emra. 380 e ca emra janë personazhe të opozitës dhe familjarëve të tyre. Pra është Monika, vëllai i Monikës, nusja e vëllait të Monikës, Mond Haxhinasto, vëllai i Haxhinastos, Tit Vasili, Kejdi Mehmetaj, etj. Pra nëse ne do të bëjmë një transaksion në bankë ne duhet të plotësojmë një formular për pastrim parash”, deklaroi kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Por nisja e kësaj lëvizjeje, do të thotë se për të gjithë politikanët dhe pushtetarët po troket lufta anti-korrupsion. Më herët, ishte gazeta “SOT”, ajo e cila deklaroi se një politikani të rëndësishëm i janë zbuluar 80 milionë euro në një bankë në Londër, por që më lëvizjet e fundit duket se gjithçka do të zbardhet.

Roli i ndërkombëtarëve

Fakti që janë vënë 400 zyrtarë dhe të afërm të tyre në skaner, do të thotë se ndërkombëtarët po përgatiten për arrestime në nivele të larta. Këtë gjë e vërteton më së miri edhe vizita e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, e cila duket se nuk ka qenë rastësore në Tiranë. Burime të gazetës kanë pohuar se diplomati gjerman ka pasur një axhendë goxha të ngjeshur takimesh me zyrtarë të lartë të disa prej institucioneve në vend. Mësohet se gjatë takimeve ministri Maas ia ka bërë të qartë drejtuesve të prokurorisë, policisë, Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe ILDKPI-së se reforma në drejtësi nuk do të ndalet duke iu kërkuar të luftojnë korrupsionin në nivele të larta. Burime nga Drejtoria e Pastrimit të Parave, bënë me dije se gjatë ditëve të fundit autoritetet gjermane kanë kërkuar një numër të madhe dosjesh me të dhënë për grupe të strukturuara kriminale, por edhe për politikanë, gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Madje, i njëjti burim i tha gazetës se gjatë takimit të disa ditëve më parë që ministri i Jashtëm gjerman zhvilloi me kryetaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafa Bungo dhe kryetaren e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj i kë vënë në dijeni se Berlini zyrtar i ka dosjet e pushtetarëve të korruptuar. Në ditët në vijim DPPPP pritet që të dërgojë të tjera informacione për ta, ku përfshin të dhëna për deputetë, ministra, ish-ministra, etj. Sipas burimeve, lista me 400 emra lidhet pikërisht me këtë proces. Pasi formularët që po firmosin politikanët po studiohen dhe nga të huajt. Gjithashtu bëhet e ditur se ndërkombëtarët po bëjnë verifikime dhe jashtë vendit. Teksa po afron qershori, duket se do ketë reprezalje për hapjen e negociatave.

Baby Boo