40-vjeçari shkon në shtëpinë e ish të dashurës, ia rrah vëllain dhe ia trazon familjen


Një 40-vjeçar nga Prishtina ka rënë sot në prangat e Policisë pasi dyshohet se bëri ‘kërdi’ në shtëpinë e ish të dashurës. Për shkak të përfundimit të lidhjes së dashurisë, i dyshuari pa një pa dy, i shkoi vajzës në shtëpi, ku ia sulmoi vëllain e shkaktoi dëme, raporton Gazeta Sinjali

Rasti ka ndodhur sot, në orët e para të mëngjesit, në rrugën “Azem Jashanica”, në Prishtinë.

Sinjali ka mësuar se gjithçka ndodhi derisa familja e ish të dashurës së të dyshuarit ndodheshin në shtëpinë e tyre, kur papritmas i dyshuari u shkoi te dera dhe situata u përshkallëzua.

I dyshuari, L.S., 40-vjeçar fillimisht dyshohet se ua theu xhamin e derës së hyrjes së shtëpisë për të vazhduar më pas me sulm ndaj vëllait të ish të dashurës, të cilit i shkaktoi lëndime duke e grushtuar në fytyrë.

Për të mos mbaruar me kaq, ai edhe e kërcënoi viktimën 20-vjeçar, në shenjë hakmarrjeje, pasi motra e tij ishte ndarë me të, pas një lidhje disa vjeçare.

Përballë kësaj situate, babai i vajzës dhe djalit që u sulmua, vendosi ta njoftojë Policinë, për të parandaluar ndonjë incident tjetër që mund t’i kanosej fëmijëve të tij.

Pas denoncimit të rastit, Njësia e Hetimeve ka ftuar për intervistim palët e përfshira për të dhënë deklaratat se si ndodhi rasti.

Vajza ka rrëfyer në Polici se ish i dashuri i saj, L.S., ia sulmoi vëllain e u shkaktoi shqetësim të madh në familje për shkak se kishte marrë vendim që të ndahej nga i njëjti.

Si rezultat i raportimit të rastit, një njësi policore ka bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, ndërkohë që i dyshuari është shoqëruar në Polici për t’u përballur me denoncimin e familjes së ish të dashurës.

Prokurori ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë dhe i njëjti dyshohet për tri vepra penale “lëndim i lehtë trupor”, “kanosje” dhe “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Baby Boo