40 gradë deri të premten


Deri të premten do të digjemi nga të nxehtit. Temperaturat do të lëvizin prej 32 deri në 40 gradë celsius. Sipas Entit për punë hidrometeorologjike, jemi në fazën e verdhë ndërsa sipas matjeve të fundit, nuk duket të ketë sinjale për të arritur faza portokalli gjatë kësaj jave, raporton TV SHENJA.

Lençe Rizova, meteorologe

“Gjatë ditëve në vazhdim ditët do të jenë me diell dhe shumë të nxehta. Do të lëvizin prej 32 deri në 40 gradë celsius. Temperatura prej 40 gradësh do të arrijë në pjesën juglindore të shtetit. Sipas meteoalarmit tonë, nesër do të kemi fazë të verdhë në të gjithë territorin e shtetit. Ende nuk ka sinjale për fazë portokalli.”

Sinoptikanët parashikojnë që pas valës së nxehtit përvëlues, të ketë një ulje të vogël të temperaturave pasditen e së premtes dhe të shtunën, ndërsa të dielën rikthehet moti i ngrohtë.

Lençe Rizova, meteorologe

“Edhe të enjtjen do të jetë nxehtë, ndërsa të premten pasdite do të ketë shira lokale që ka mundësi të shkaktojnë stuhi në disa vende. Nuk përjashtohet mundësia edhe për rënien e breshërit. Do të thotë se të premten dhe të shtunën do të ketë një rënie të vogël të temperaturës, por prej të dielës përsëri moti do të jetë stabil dhe shumë i ngrohtë, Përsëri temperaturat do të rriten, dhe me këtë edhe indeksi ultravjollcë i cili do të arrijë nivelin 9”

Nëse moti kalon 40 gradë celsius, atëherë do të ngritet alarmi për fazën portokalli dhe do të vlejnë ndalesa dhe obligime të reja për punëtorët, shtatëzënat, personat e moshuar dhe të sëmurë kronik.

Ministria e Shëndetësisë rekomandoi që këto ditë të fazë së së verdhë, qytetarët të shmangin qëndrimin në ambient të hapur prej orës 11 deri në orën 17:00.

Nëse e keni patjetër të dilni, rekomandohet veshje e lehtë me ngjyra të hapura dhe syze ose kapelë për mbrojtje nga dielli. Rekomandohet edhe ushqimi i lehtë dhe sa më shumë lëngje, por më së shumti ujë, ndërsa alkoolit ministria rekomandon që t’i shmangeni. Gjithashtu, para se të hyni në makinë, sigurohuni që e keni ajrosur mirë.

Baby Boo